Ngjela: Ja çfarë do të sjellë politika Biden në Tiranë e në Kosovë dhe kush ishte Trump

Avokat Spartak Ngjela u shpreh se reforma në drejtësi ka ngjallur ndjenjën e frikës tek të gjithë politikanët në vend. Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook, Ngjela deklaroi se si mazhoranca, ashtu edhe opozita jashtëparlamentare e kanë humbur sensin, pasi ndihen të kërcënuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga ajo që do të ndodhë me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Sipas tij, reforma në drejtësi nuk do të pyesë për ngjyrime politike, por do të godasë njësoj si majtas ashtu edhe djathtas.

Ai shkruan se “Si pasojë e politikës ruse të forcuar në Shqipëri nga Politika Trump, sot ka disa procese penalë të ngritur për korrupsion në Shtetet e Bashkuara, kundër liderëve të Partisë Demokratike, me në krye Lulzim Bashën. Kurse, tani që u rrëzua Donald Trump, proceset pritet të vijojnë edhe më me forcë, dhe mendojmë që, pikërisht këtë ka pasur si prapamendim ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kur tha hapur që: “të akuzuarit për korrupsion nuk duhet të kandidojnë në këto zgjedhje”.

Analiza e plotë

“Çfarë po luan për zgjedhjet e prillit korrupsioni i lartë shtetëror, dhe, pse ndërkombëtarët nuk i përfillin këto zgjedhje?

Çfarë do të sjellë politika Biden në Tiranë dhe në Kosovë? Dhe, kush ishte Donald Trump?

Sa e fortë ka qenë mbështetja e korrupsionit të lartë shqiptar nga Moska, në kohën e presidencës Trump, dhe, si do të vijojë reforma në drejtësi?

Kur do të fillojë hetimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit kundrejt korrupsionit të lartë shtetëror?

Pse shkon Rama në Turqi, dhe pse kishin të njëjtën frymë bashkëpunimi Moska, Stambolli dhe Donald Trump kundër botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor?

Po ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, çfarë nënkuptoi kur tha hapur që: “të akuzuarit për korrupsion nuk duhet të kandidojnë në këto zgjedhje”.

Këto janë çështjet ku është mbërthyer sot zhvillimi shqiptar. Le t’i shohim me radhë.

l.

Çfarë po luan për zgjedhjet korrupsioni i lartë, dhe pse ndërkombëtarët nuk po i përfillin këto zgjedhje?

Tani po duket sheshit se krerët e të dy partive të mëdha nuk e kanë mendjen te zgjedhjet, dhe prandaj nuk kanë asnjë lloj impenjimi politik për to. Pse ndodh kjo?

Kjo ndodh, sepse krerët e të dy partive të mëdha janë të rrezikuar nga antikorrupsioni ligjor, që tani në Shqipëri është realisht një normë kushtetuese.

Ka një lëvizje të përditshme nga këta krerë për të ndaluar me frenim reformën në drejtësi dhe, bashkë me të, edhe reformën antikorrupsion.

Rreziku, si rregull, gjithmonë i bashkon krerët e krimit. Dhe kuptohet tani se kjo po ndodh edhe këtu. Por, në të vërtetë, të korruptuarit e lartë, nuk kanë më fare forcë për të bllokuar reformën antikorrupsion në Shqipëri.

Ndërkohë po priten të vijnë në Shqipëri 30 hetuesit e përgatitur profesionalisht në Shtetet e Bashkuara, të cilët do të jenë hetuesit profesionistë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të gjithë këta hetues, janë shqiptaro – amerikanë që kanë studiuar në Amerikë.

Me ardhjen e tyre, BKH do ta fillojë hetimin ligjor kundër korrupsionit dhe do të administrojë edhe rreth 60 dosje të individëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, të cilat kanë ardhur këtu nga institucionet amerikane.

ll.

Çfarë do të sjellë politika Biden në Tiranë dhe në Kosovë, dhe, kush ishte Donald Trump?

I gjithë Perëndimi ishte në rrezik nga politika Trump. Tani është e vërtetuar se Donald Trump-i ka qenë i lidhur me Moskën që në fillim të viteve 1980′, dhe politika ruse ka investuar në të gjitha ndërmarrjet ekonomike të trustit Trump. Gjithsesi, edhe pse investimi dhe përpjekja ruse ishte shumë e madhe, edhe pse, për herë të parë, shërbimi sekret rus ia arriti ta marrë presidentin e Shteteve të Bashkuara, koha e tregoi se nuk bëri dot gjë, thuajse asgjë. Normalisht, na duhet të themi se: ku e dinin dot për ta kuptuar rusët dhe vetë Trump-i që Amerika tanimë është një shtet demokratik institucional i pacenueshëm nga asnjë lloj force!? Prandaj, edhe këtë herë, koha e tregoi që demokracia dhe liria në Amerikë, është një arritje e madhe shekullore, dhe një vlerë e madhe për të gjithë njerëzimin, në funksion të lirisë. Pikërisht këtu i thehu hundët Donald Trump, edhe pse me neonazizmin racor të tij, krijoi një lëvizje shumë regresive në Amerikë, por që tani po kuptohet se ajo nuk ka më fare forcë. Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se, i gjithë programi Trump që pamë, ishte në fakt vepër e një ekspertize ruse rreth 40 vjeçare. Tani mori fund gjithçka, por: po forcat progresive në Rusi, a do ta kapin këtë marrëzi të Putinit, për ta rrëzuar atë, si elitarin e fundit të KGB-së famëkeqe që po drejton ende Rusinë?

lll.

Sa e fortë ka qenë mbështetja e korrupsionit të lartë shqiptar nga Moska në kohën e presidencës Trump, dhe, si do të vijojë reforma në drejtësi tani, mbas rrëzimit të Trampit në Uashington? Po kryeministri Rama, pse mbeti në Turqi, tek Erdogani?

Tani është e provuar se korrupsioni shqiptar, që nga viti 2016, i kishte varur shpresat te ndihma ruse, sepse ndërkohë po kuptohet që gjithçka duhej të drejtohej nga politika e re antiperëndimore dhe pro Rusisë e Donald Trumpit-t. Dështimi tërësisht i kësaj politike, i ka lënë të zbuluar krejtësisht të korruptuarit e lartë të Tiranës.

Pikërisht te kjo politikë e ish presidentit amerikan, gjendet edhe arsyeja pse ishin bërë bashkë, Trump, Putin dhe Erdogan. Dhe këtu kuptohet gjithashtu edhe arsyeja pse kërkohej me ngulm një islamizëm ekstrem në Shqipëri e në Kosovë; lufta kundër figurës së Gjergj Kastriotit; një mbështetje amerikane e Serbisë kundër Kosovës, dhe një ndërrim territorësh për ta neutralizuar përfundimisht fuqinë e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe këtu fillojnë sigurisht edhe dyshimet për politikën Rama- Erdogan, të cilat duhen zbardhur vetëm për një qëllim historik, sepse në thelb janë marrëdhënie politike të dështuara nga prezenca e fortë e politikës së re Biden në Amerikë.

lV.

Si pasojë e politikës ruse të forcuar në Shqipëri nga Politika Trump, sot ka disa procese penalë të ngritur për korrupsion në Shtetet e Bashkuara, kundër liderëve të Partisë Demokratike, me në krye Lulzim Bashën. Kurse, tani që u rrëzua Donald Trump, proceset pritet të vijojnë edhe më me forcë, dhe mendojmë që, pikërisht këtë ka pasur si prapamendim ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kur tha hapur që: “të akuzuarit për korrupsion nuk duhet të kandidojnë në këto zgjedhje”.

Në fakt, kjo është një kërkesë diplomatike e nivelit të lartë politik, dhe, pikërisht këtu, duhet të përqëndrohet edhe politika e këtij momenti në Shqipëri. Por, është kjo kërkesë që duket se i ka bërë bashkë Ramën, Berishën dhe Bashën. Natyrisht, kjo kërkesë e politikës amerikane, nëse do të zbatohet, i çmonton që të tre.

Por, dy të parët, Berisha dhe Basha, nuk kanë më asnjë forcë, kurse Rama ka maxhorancën aktuale, dhe po pritet që të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Pyetja që duhet të ngrihet në këtë rast, është kjo: me kë do t’i fitojë Rama zgjedhjet; me të inkriminuarit? A mundet Rama që, pikërisht për këtë, ta pengojë ose ta bllokojë reformën antikorrupsion, të cilën po e drejton profesionalisht dhe me strukturë juridike, politika amerikane ?

Nëse Ramës i ka shkuar vërtet mendja se mund ta bllokojë reformën amerikane në Shqipëri, diheni që ai do të tregohet fare mendjelehtë, dhe se, pikërisht për këtë, Rama do të përfundonte shumë keq. Askush nuk ka më forcë në Shqipëri që të ndalojë reformën antikorrupsion, në një kohë kur dihet se atë po e drejton politika ametikane. Si mund të të shkojë mendja se mund ta ndalosh këtë reformë, kur faktet dhe emrat e të korruptuarëve shqiptarë janë në disponim amerikan. Po sikur t’i ekspozojë këto fakte dhe këta emëra ajo politikë, çfarë ndodh në Shqipëri?!

Nën të njejtin arsyetim, nëse Ramës po i shkon vërtet mendja se me politikën islamike të Erdoganit do të mund t’i kundërvihet politikës amerikane proshqiptare në Ballkanin Perëndimor, është më mirë të rrijë në kuvlinë e tij, sepse politika amerikane tani do të ketë virulencë shumë të madhe në Shqipëri dhe në Kosovë, për luftën antikorrupsion dhe për largimin e filorusëve nga drejtimi politik, si në Shqipëri edhe në Kosovë, por, sidomos në Shqipëri. Politika antishqiptare dhe prosllave në Ballkanin Perëndimor, u mund në datën 3 nëntor 2020 në Shtetet e Bashkuara, dhe politika proshqiptare tani ka triumfuar në 6 janar të këtij viti, me fillimin e punës së presidentit të ri, Joe Biden, në Uashington”, shkruan Spartak Ngjela.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT