Shqiptari kthehet pa zemër nga spitali në Barcelonë, historia shokuese që tronditi familjen në Tiranë

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim të pazakontë për shit-blerjen e paligjshme të organeve njerëzore, pasi trupi i një 33-vjeçari shqiptar ka mbërritur nga Spanja ndërkohë që mjekët ligjorë kanë vënë re se i mungonte zemra.

Fjala është për Saimir Sulën, për të cilin policia ka pasur informacione se ishte përdorues droge dhe ka ndërruar jetë në një spital të Barcelonës, ku ishte shtruar për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Trupi i pajetë i 33-vjeçarit nuk është lejuar të shihet nga të afërmit në ambjentet e spitalit spanjoll, por anëtarët e familjes kanë vënë re në Shqipëri se djali i tyre Saimir Sula, kishte një të çarë në pjesën e zemrës.

Të afërmit kanë dyshuar se gjatë mjekimit në Barcelonë, të riut i është marrë zemra në rrethana dhe arsye të paqarta.

Nisur nga ky konstatim, familja Sula, ka pezulluar për disa ditë zhvillimin e ceremonisë së varrimit, duke depozituar një kallëzim penal në polici, për mungesën e zemrës së Saimir Sulës.

Mësohet se policia dhe prokuroria e Tiranë, në Tetor 2020, janë njohur me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, të realizuar nga specialistët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore në Tiranë. Kjo e fundit, ka sekuestruar kartelën mjekësore të Sulës dhe kanë vënë nën hetim 4 mjekë.

“Në trupin e kufomës Saimir Sula, në kqyrjen e jashtme përveç prerjeve autoptike dhe ndryshimeve pas vdekjes, nuk u vunë re dëmtime të shkaktuara nga dhuna.Nga kqyrja e brendshme e organeve dhe të dhënave mikroskopike nga ana jonë u konstatuan bronkopneumoni sero-deskuamative dhe hepatit koronik persistent. Autolizë e organeve dhe mungesë të organit jetësor, zemrës”-thuhet në raportin e mjekëve në Tiranë.

Nisur nga ky konstatim dhe kallëzimit të bërë nga vetë familjarët e viktimës, Saimir Sula, Prokuroria e Tiranës tashmë ka nisur një hetim për veprën penale “shitblerja e paligjshme e organeve”.

Në këtë hetim Prokuroria e Tiranës po kërkon ndihmën e autoriteteve spanjolle për të zbardhur arsyet e mungesës së zemrës në trupin e Saimir Sulës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT