“Shpendët mund të shkaktojnë aksidente tragjike”/ Ja pse ambientalistët janë kundër aeroportit të Vlorës

36 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare i kërkojnë qeverisë të anulojë projektin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e Vjosë-Nartës.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, organizatat vënë në dukje se vendi në të cilën planifikohet të ndërtohet kjo vepër aeroportuale bie brenda zonës së mbrojtur, nga legjislacioni shqiptar si dhe është e njohur ndërkombëtarisht si “Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin”.

Sipas organizatave, në këtë zonë është regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër, 33 prej të cilëve janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë.

Organizatat theksojnë se ndërtimi i një infrastrukture të përmasave të tilla si aeroporti i propozuar, jo vetëm që do të tjetërsonte në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e mrekullueshëm të zonës, por paraqet rrezikshmëri të lartë për vetë sigurinë e aeroplanëve dhe njerëzve.

Profesor Aleko Miho, nga Departamenti i Biologjisë, FSHN tregoi në “Wake Up” rreziqet që i kanosen ekosistemit nga ndërtimi i aeroportit në këtë zonë.

“Ne jemi një vend i veçantë në Mesdhe. Kemi rreth 970 apo 1 mijë gati metra katrorë këneta, të cilat janë shumë të rëndësishme.

Nga këto 400 km katrorë janë në zonën bregdetare. Nuk ka vend tjetër në Mesdhe siç është Shqipëria, me këto habitate, me këto ekosisteme të veçantë që dallohen në të gjithë botën.

Këto janë habitate me prodhimtari të lartë. Prodhojnë rreth 20 kuintal për hektarë në vit. Gjithë këto habitate kanë nevojë që të mbrohen dhe ne jo më kot, pjesën më të madhe të tyre i kemi shpallur zona të mbrojtura.

Në këtë zhvillim, të ndërtosh një aeroport brenda kësaj hapësire, nuk na duhet e mençur sepse bie ndesh me të gjitha vlerat që këto ekosisteme mbrojnë.

Një avion që do ulet, për shumë shpendë është një shenjë që i largon. I gjithë ekosistemi shqetësohet nga kjo”, sqaroi profesori.

Ndërsa inxhinieri i mjedisit, Mirjan Topi tregoi sa i rrezikshëm është fluturimi në këtë zonë.

“Duhet të kemi parasysh që vendndodhja e pistës do jetë në vijë të drejtë midis Lagunës së Nartës dhe asaj të Karavastasë, që kanë një trafik të jashtëzakonshëm shpendësh.

Në shumë raste shpendë me peshë dhe përmasa të tillë që nëse do përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike”, sqaroi ai.

“Shpendët mund të shkaktojnë aksidente tragjike”/ Ja

Back to top button
LAJMET E FUNDIT