Variantet e reja me Covid-19, ISHP dërgon mostra në Berlin për ekspertim; gjermanët zbuluan 22 vjeçaren shqiptare me virusin britanik

Silva Bino nga ISHP, ka lajmëruar mesditën e sotme se janë duke bashkëpunuar me institucione të tjera jashtë vendit për të evidentuar të gjitha variantet e reja të Covid-19.
Ajo është shprehur se së fundmi në institutin e virologjisë në Berlin do të dërgohen disa mostra për të cilat dyshohet se janë variante të reja të Covid-19, të cilat u janë marrë shtetasve të ndryshëm në Shqipëri.
“Jemi duke punuar dhe me institucione të tjera. Po zhvillojmë metodika të tjera për identifikimin e… jo saktësisht të varianteve të reja por kemi të bëjmë me diçka të re. Po bëjëm gati mostrat për ti dërguar në një institut në Berlin. Është një punë që do të vazhojë.
Krahas punës me laboratorin e PCR, do të vazhdojë dhe puna për dërgimin e vazhdueshëm të mostrave në lidhje me identifikimin e të gjitha varianteve të reja, jo vetëm atij britanik. Por çdo lloj varianti të ri që këto mutacione të kapen në kohë.
Qytetarët është shumë e rëndësishme të bashkëpunojnë, të tregojnë të vërtetën. Kur vijnë këtu. Të tregojnë për kontaktet që kanë pasur, me udhëtimet që kanë pasur, me shtrimet në spital nëse kanë pasur”, tha Bino.
Kujtojmë se, së fundmi gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në Gjermani ka shkruar se një 22 vjeçare shqiptare që është emigrante në atë vend, ka rezultuar pozitive me virusin britanik. Sipas gazetës, e reja ka udhëtuar nga Rinasi drejt Gjermanisë, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë ende një rast zyrtar me këtë virus.