Turqia-Shqipërisë: Gylenistët i keni dhe në shëndetësi e media, mos rrezikoni marrëdhëniet mes dy vendeve

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Sentop, ka bërë një deklaratë të fortë nga Tirana, ku ka kërkuar nga qeveria shqiptare të bllokojë aktivitetet e organizatës Feto, jo vetëm në arsim por edhe në Shëndetësi dhe media.

Sentop, i cili ka nisur një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë një Konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Gramoz Ruçi, ka përdorur një fjalor të ashpër ndaj gylenistëve.

“Me zotin Ruçi, biseduam edhe për organizatën terroriste Feto. Si në vende të ndryshme të Ballkanit ajo është prezent edhe në Shqipëri. Siç e dini, kjo organizatë nuk kurseu dhe bombardoi edhe Parlamentin e Turqisë.Në Turqi kjo organizatë është eliminuar në masë të madhe por nuk është vetëm Turqia objektivi i kësaj organizate tinëzare. Ky grup për të realizuar qëllimet e maskon aktivitetin në shkolla, media shëndetësi etj. Të gjitha vendet ku vepron është aktive, por ne nuk do të lejojmë kurrën e kurrës të helmojë marrëdhëniet tona”, tha Sentop, i cili më pas ka dhënë një zhvillim të ri politik të marrëdhënies turko-shqiptare.

Ai ka bërë të ditur se Turqia do të hapë një konsullatë në Vlorë dhe do të nisë një seri investimesh në turizëm.

“Me Shqipërinë ndajmë kulturë dhe histori të përbashkët. Ne kemi shumë vlera e personalitete të përbashkëta si gedik Ahmet Pashaj që ka realizuar ekspeditën e Otrantos, por edhe Mehmet Agai nga Elbasani që ka ndërtuar Xhaminë Blu. Kemi Hasan Tahsin rektorin e Universitetit të Stambollit, kemi Sami Frashrin etj shumë të tjera. Marrëdhëniet tona po ecin në mënyrë të mrekullueshme. Vizita e kryeministrit Rama ngriti edhe më shumë partneritetin tonë strategjik.

“Kënaqësi që punimet e spitalit të fierit po vijojnë pa ndërprerje”, tha Sentop, i cili do të pritet edhe nga Presidenti Meta dhe kryeministri Rama./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT