Ne dhe Europa: “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”. Vendet e pasura, të varfërit e dobët dhe katastrofa morale që nxorri në pah lufta për vaksinën

Nga Viktor Malaj

Botuar në DITA

“Bota është në prag të një dështimi katastrofik moral” – Tedros Adhanom*

Shpikja e vaksinave kundër virusit COVID-19 ishte një arritje shumë e madhe e njerëzimit në luftën e tij për mbijetesë. Por, si çdo aspekt tjetër i sjelljes dhe veprimtarive njerëzore, edhe kjo arritje mori shpejt karakter politik duke nxjerrë në pah sa marrëzinë, aq edhe ligësinë e qënies njerëzore, pavarësisht vendeve, racave, sistemeve politike etj.

Mësimi më i madh, me rrënjë tutje në histori dhe ligësia më e dëmshme u shfaqen në faktin se të drejtat dhe mundësitë e zotërimit të këtij mjeti shpëtimtar (vaksinës) i rrëmbyen, si gjithmonë, më të pasurit dhe më të fortët. Të varfërit dhe të dobëtit, pavarësisht propagandës shekullore për “lirinë, barazinë, vëllazërinë”, iu rezervua mospërfillja dhe vendet e fundit në radhë për furnizim me vaksina, domethënë si kategori e fundit e qënieve njerëzore që meritojnë të shpëtohen.

Bashkimit Evropian, si federatë popujsh që propagandon dhe iu mëson të tjerëve parimet humane, demokratike e politike, i takonte të jepte shembullin e drejtësisë dhe moralit në sigurimin e vaksinave, si për vendet anëtare ashtu edhe ato që e presin mbas dere prej dekadash duke u lutur t’i lejojë të futen në “parajsën” e drejtësisë dhe moralit. Fatkeqësisht, ndodhi e kundërta. Më shumë se solidaritet mendimi e veprimi u vu re një garë për sigurimin e vaksinave, madje edhe disafish më të shumta se nevojat reale të ndonjë shteti të veçantë.

Qeveria shqiptare, si qeveri e një vendi të vogël dhe të varfër, mundi të siguronte një marrëveshje modeste, por të rëndësishme me kompaninë Pfajzer për furnizimin me rreth 500 mijë vaksina. I ndikuar nga formimi i tij vetjak por edhe nga presioni i BE ku presim (më kot- të më falin optimistët) të hyjmë, Kryeministri shqiptar z. Edi Rama vendosi të marrë vaksina vetëm nga vendet perëndimore dhe vetëm prej atyre që pëlqen BE. Përsëri “politika në plan të parë”.

Ajo që mbetet e sigurt është fakti se vaksinat dhe jetët njerëzore nuk kanë dhe as duhet të kenë karakter politik.
Duhet ta them me zë të lartë se z. Rama, reagoi me mendjelehtësi ndaj një njoftimi të ambasadës ruse në Tiranë e cila njoftonte ofertën e vaksinës ruse “Sputnik-V”.

Megjithëse ai e di shumë mirë se detyra e çdo ambasade, ndër të tjera, është edhe promovimi i mallrave të vendit të vet, Kryeministri ynë e konsideroi me ironi ofertën ruse si “një shaka… meme rrjetesh sociale”.

I indinjuar nga fakti se BE nuk u kujdes fare për sigurimin e vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor, i kritikoi ata dhe, sidomos, Francën e cila mbante miliona vaksina rezervë për t’i përdorur kushedi se kur ndërsa qindra qytetarë (të dorës së dytë apo tretë) të Ballkanit vdisnin dhe vdesin çdo ditë. Ambasada franceze në Tiranë reagoi menjëherë duke vënë në dukje se BE e kishte ndihmuar vazhdimisht Shqipërinë ekonomikisht dhe se kritikat shqiptare ishin, në njëfarë mënyre, mosmirënjohje.

Çdo mendje normale, pa llogaritur mendjen superiore të ambasadës franceze, e kuptonte se bëhej fjalë për një problem të veçantë, jetik dhe që nuk pret, pra bëhej fjalë për shpëtim jetësh njerëzore dhe jo për mirëqënie dhe aq më pak për luks.

Reagimi francez i ngjante pak a shumë rastit kur dikush të kërkon ujë sepse po vdes nga etja dhe ti i përgjigjesh: t’i kam pas blerë një palë këpucë parvjet prandaj s’ke të drejtë të ankohesh. Sedrës franceze i erdhën në ndihmë edhe disa shqiptarë të këtushëm të cilët, më shumë se askush tjetër, ia kanë ulur prestigjin vendit të tyre. “Dashnorët” e Francës dhe dëmtuesit e Shqipërisë, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, pa llogaritur dhjetëra gjinkalla periferike, nisën të bëjnë avokatin e Francës dhe të ngrenë lart “kontributet” e saj historike për Shqipërinë.

Medet! medet! do të thërriste turku Hikmet që pastron rrugët e Gjermanisë.

Kryeministri Rama, në një veprim ekzibicionist, njoftoi sjelljen e rreth 1000 vaksinave dhe fillimin e vaksinimit tek personeli mjekësor. Aq u desh që opozita laramane dhe me pak mend e shumë etje për pushtet e pasuri, të hakërrehej dhe të vinte në dyshim vërtetësinë e vaksinave të sjella, pasi Kryeministri pohoi se nuk mund ta tregonte vendin evropianoperëndimor që ia kishte dhënë për shkak të marrëveshjes së bërë me të.

Disa analistë, “armiq për vdekje” të Ramës dolën në media dhe, me gjuhëpërdredhje, pohuan se, përderisa qeveria nuk na tregonte të filmuar makinën që sillte vaksinat, rrugën e përshkuar prej saj, vendet e ndalimit, të drekimit apo edhe të kryerjes së nevojave vetjake nga shoferi dhe shoqëruesit, si dhe frigoriferin ku ruheshin vaksinat, atëherë këtu kemi të bëjmë me gënjeshtra dhe kontrabandë. Madje, njëri prej tyre pohoi se “Nëse qëllimi i Kryeministrit ishte vërtetë imunizimi masiv i popullsisë, ai bëri çdo gjë që kishte në dorë që kjo të mos ndodhë” (?!).

Medet! medet! thërret sërish turku Hikmet.

Një akademik i shquar shqiptar, përpara se të shkonte në një studio televizive ku e kishin thirrur, iu kërkoi ndihmë shokëve në Fejsbuk (Facebook) lidhur me prejardhjen e vaksinave si dhe numrin e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri. Meqë akademiku nuk i beson shifrat e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë, i erdhën në ndihmë dy shokë të Fejsbukut: Latifi nga Librazhdi i cili ruante dhitë në mal por kontrollonte herëpashere Fejsbukun në celular dhe Mëhilli në Mirditë që ishte i papunë, por celularin s’e lëshon nga dora.

I pari i tha se vaksinat janë më të mirat në botë dhe numri i shqiptarëve me COVID-19 s’i kalon 1000 vetë, ndërsa tjetri i konfirmoi se vaksinat e sjella nga Qeveria kishin ujë dhe numri i shqiptarëve të infektuar i kalonte tre milion, por i fshihte Qeveria. Akademiku ishte në hall cilin të besonte pasi dukej qartë që dy “miqtë” e tij iu përkisnin njëri pushtetit dhe tjetri opozitës.

Gjynah! Gjynah! Psherëtiu turku Hiqmet.

Në ndihmë të opozitës dhe të akademikut erdhi edhe një shqiptar i viseve shqiptare në Maqedoni, i cili mban si emër një emër femrash të vendeve anglishtfolëse dhe mbiemër me prejardhje nga Anadolli. Zotëria tha se mostregimi i vendit që kishte dhuruar 1000 vaksina anti-COVID tregonte përbuzjen që kishte Rama për vendin e tij dhe se vaksinat mund t’i kishte marrë nga ndonjë grup hajdutësh.

Enigma, që buronte nga fakti se këto kategori personash që dukej hapur se ndienin keqardhje pse shteti shqiptar po sillte kaq shpejt vaksinat, ishte nëse këta individë kishin pyetur ndonjëherë më parë nga vijnë e si vijnë qindra lloje antibiotikësh apo mjetesh mjekësore që shërbejnë për shpëtimin e jetëve njerëzore në spitale e klinika private.

Allah! Allah!- tha sërish turku zemërmirë.

Kritikat e Qeverisë shqiptare rreth qëndrimeve të BE-së lidhur me sigurimin e vaksinave shkaktuan “zemërimin” e një gjermani të quajtur Mikael Gahler, Koordinator për Zgjerimin dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian. Duke pohuar dy gjëra krejt të pavërteta, gjermani i dehur nga pasionet politike, të cilit i pret timoni gjithmonë djathtas, tha se “Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë evropiane, qoftë duke përgojuar BE-në për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta në shkelje të ligjit evropian”.

Sipas demokristianit gjerman Gahler, kritikat, edhe kur janë të drejta, konsiderohen provokime. Megjithëse për ndihmat e dhëna më parë nga BE shqiptarët dhe qeveritë e saj i kanë shprehur mirënjohjen Bashkimit Evropian apo edhe Gjermanisë, sipas z. Gahler të tjerët, të vegjlit, të varfërit, jashtëkomunitarët duhet të heshtin kur iu bëhen padrejtësi dhe ngritja e zërit për një problem të veçantë dhe jetik si vaksina anti-COVID duhet konsideruar “përgojim” (?!).

Gjithashtu, edhe pse Qeveria shqiptare, me kokëfortësi dhe fanatizëm të dëmshëm politik, nuk ka pranuar marrjen e vaksinave nga vendet lindore, politikani mendjelehtë gjerman e akuzon atë për “bërje të marrëveshjeve me palë të treta në shkelje të ligjit evropian”.

Për cilin ligj evropian e ka fjalën ai dhe cili ligj në botë e ndalon një qeveri të përgjegjëshme të blejë “mallra” jetëshpëtues për popullin e vet?! Edhe vendet e tjera nuk i pranojnë në BE edhe duan t’iu imponojnë ligjet e veçanta të BE-së, ndonëse ato nuk kanë fuqi vepruese jashtë territorit të komunitetit (?!).

Europarlamentari në fjalë na thotë ne shqiptarëve që më mirë të vdesim nga virusi vdekjeprurës sesa të blejmë vaksina jashtë vendeve ku dëshiron ai. Schande!

Mirëpo, një gjerman tjetër më i ri në moshë, ama mendjekthjellët, megjithëse anëtar i të njëjtës parti me z. Gahler, Ministri gjerman i Shëndetësisë, z. Jens Spahn pohoi se “Pavarësisht nga vendi i prodhimit, nëse vaksinat janë të sigurta dhe efektive, ato mund të ndihmojnë në përballimin e pandemisë”.

As ky qëndrim i Ministrit “të vet” nuk i bëri dobi z. Gahler. Me kokëfortësi dhe në gjendje patologjike politike, u shpreh më vonë se “Të rreshtohesh në krah të një vendi autoritar apo diktaturë, apo të mendosh se njerëzit do të jenë më mirë nëse ti rreshtohesh në krah të Kinës apo Rusisë, kjo mund të vlejë për disa përfitues, por jo për popullin”.

Megjithëse blerja e vaksinave nga cilido vend nuk ka fare lidhje me “rreshtimin”, por me shpëtimin e popullsisë, pyetjet që lindin për politikanin gjerman që paguhet për të na dhënë mend, janë: Nëse blerja e vaksinave nga Rusia apo Kina konsiderohet “rreshtim politik”, si është e mundur që BE importon nga Rusia mbi 50% të produkteve të energjisë, ndërsa Gjermania rreth 60 % të tyre?!

Pse shtetet e BE-së dhe SHBA importojnë çdo vit nga Kina mallra që kapin vlerën e disa trilionë dollarëve dhe kjo nuk konsiderohet “rreshtim në krah të një vendi autoritar apo diktatur”?!

Pse importimi i një malli me përdorim urgjent (dhe që nuk gjendet lehtë në treg) si vaksina i sjellka “përfitim” vetëm qeverisë dhe jo popullit, ndërsa importimi i mijëra mallrave të tjera nga “vendet autoritare”, megjithëse të gjendshme në çdo kohë në tregjet e Lindjes dhe Perëndimit, i shërbeka popujve dhe jo qeverive të tyre?!

A, mos ngjan kjo si dy pika uji me thënia e vjetër “Bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë!”?!

*Tedros Adhanom – Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

—-

Gazeta DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT