Rritja e shifrave të COVID-19, Skënder Gjinushi: Po shohim dritë në fund të tunelit, sipas specialistëve në mars fillon ulja e ndjeshme e infektimeve

Kreu i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi ka shpjeguar analizën që ASH ka bërë për vijimësinë e pandemisë në vendin tonë.

Ai tha në “Top Talk” se Shqipëria ndodhet në fazën e dytë të pandemisë, duke shtuar se po shohim dritë në fund të tunelit pasi në Tiranë është infektuar 40% e popullsisë.

“Qoftë nga studiuesit pranë Akademisë, dhe pranë Ministrisë, fazën e parë e kanë parashikuar njëlloj. Për fazën e dytë mendohet se është bërë pjesa më e madhe e rrugës. Kur janë bërë mbi 40% e popullsisë në kontakt me koronavirusin në Tiranë, do të thotë që ka bërë goxha rrugë dhe pasojat nuk kanë qenë aq katastrofike si më parë. Meqë vdekshmëria nuk ka arritur shifra të frikshme, sidomos në Itali, në tërë Evropën Perëndimore ka tendencë uljeje. Vdekshmëria parashikohet të arrijë në nivelet 1, 2 për një mijë persona gjithsej.

Mund të themi që e kemi kaluar gjysmën e tunelin dhe po shohim dritë. Parashikimet që japin specialistët është që nga marsi fillon një ulje e ndjeshme e pandemisë”, tha Gjinushi.

Për sa i përket kritikave që ka marrë Akademia e Shkencave se nuk është treguar transparente me studimet që ka bërë mbi pandeminë, Gjinushi u shpreh se puna po vazhdon dhe do të bëhet transparente kur të përfundojë.

“Jo se nuk është transparente por po punohet dhe do të bëhet transparente. Qëllimi ka qenë të kuptojmë prirjen e prekshmërisë reale dhe fitimit të antitrupave. Është një tregues shumë i rëndësishëm.

Imuniteti arrihet në mënyrë natyrale ose në mënyrë artificiale nëpërmjet vaksinës. Kjo ka shumë rëndësi, sa kohë të shtrihet vaksina, duhet ditur metoda e vaksinimit sepse nuk mund ta vaksinosh popullatën menjëherë. Nëse kuptoj kaq % e popullsisë e kanë arritur imunitetin, atëherë është e nevojshme për shembull të vaksinojmë dhe 20, 30% dhe pandemia të fillojë të marrë fund”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT