A do ta pranoni fitoren e Ramës? Meta: Si mund të humbë e ardhmja evropiane e Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta dukshëm është shfaqur si kundërshtar i hapur i Ramës dhe mazhorancës duke tejkaluar pozitat kushtetuese me deklaratat e tij. Edhe sot nga Korça, Meta lëshoi apele për rrëzimin e kësaj qeverie më 25 prill.

“Më 25 prill shqiptarët do të votojnë kundër shpopullimit. Kemi shpopullim, në Shqipëri përmasat katrastrofike. Duhet të tregojmë kujdes për të rinjtë që të rrinë në Korçë, pse të ikin të punojnë në Maqedoni, apo pse atje i kushtojnë vëmendje bujqësisë”, tha kreu i shtetit.

Kur u pyet se si ju po i bëni thirrje shqiptarëve të votojnë kundër Ramës, kreu i shtetit e anashkaloi duke thënë se këtë thirrje e bëtë ju, duke shtuar se “25 prilli do të jetë një referendum shumë herë më i rëndësishëm se ai nëntorit 1994, është vënë në diskutim pas 30 vitesh e ardhmja evropiane e Shqipërisë”.

I pyetur nga gazetarët se a do ta pranonte fitoren e Ramës, pra humbjen e tij, Meta u përgjigj: Si mund të humbë e ardhmja evropiane e Shqipërisë.

Ndërkohë i pyetur se si garantohet që listat do të jenë të pastra, Presidenti Meta ka shfrytëzuar rastin që t’i bëjë edhe njëherë thirrje partive politike që të përfshijnë në lista njerëz me integritet.

“Nuk dëshiroj të hyj në detaje, por fakti që kemi bërë një ligj për dekriminalizimin tregon që ka qenë një problem serioz i politikës tonë, i Kuvendit, i pushtetit vendor dhe i niveleve të tjera të qeverisjes. Është e domosdoshme që me 25 prill të tregohet një vullnet nga të gjitha forcat politike dhe qytetarët për t’u distancuar nga figurat që nuk përfaqësojnë qytetarët dhe kanë probleme që janë të qarta në Ligjin për Dekriminlizimin. Partitë duhet të jenë në garë për figura me integritet”, tha Meta. /Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT