A është çmimi i Fatos Nanos presidenca? Rama tregon nëse “do t’ia plotësojë këtë dëshirë”

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “shumë të bukur” marrëdhënien me ish-liderin historik të PS-së, Fatos Nanon.

I pyetur nga gazetarët nëse ‘çmimi i Nanos është presidenca dhe se a do ja plotësojë këtë dëshirë’, Rama u shpreh se ‘jo të gjithë politikanët kanë çmim‘.

Rama tha se Fatos Nano ‘është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur vullnetarisht të tërhiqet‘ dhe kjo sipas kryeministrit e bën marrëdhënien e tyre të pastër.

Rama u shpreh se i kërkon Nanos opinione për çështje dhe vendime kyçe, ndërsa e cilësoi atë një aset dhe një pikë referimi për të.

“U nise nga një prezumim që të gjithë politikanët e kanë një çmim. E di çmimi tim? Se normalisht i bie edhe unë të kem një çmim dhe të jem pjesë e këtij eksperimenti. Unë nuk kam asnjë çmim. Politikanët nuk janë të gjithë njësoj, siç nuk janë as kafshët, as pemët as peshqit. Me Nanon kam një marrëdhënie shumë të bukur, sepse nuk ka në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik mes aktorëve. Ai është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të tërhiqet. Për mua është një pikë referimi në sesnin se ai ka qenë këtu ku jam unë. E vëreta është se ai nuk ka pasur një paraardhës me eksperiencën e duhur, unë e kam është një aset. Është fat dhe kënaqësi që të kesh mundësi të komunikosh me ata që e kanë patur këtë detyrë përpara. Vetëm kush ka qenë këtu e  kupton “vetminë e majës”.”, deklaroi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

Gjatë një interviste për OPINION, ish-kryeministri Fatos Nano u shpreh se Edi Rama është politikani i vetëm që i kërkon këshilla. Nano thotë se këshillat ia merr me pahir dhe shton se Rama ka një fat se ka dikë që e këshillon pasi ai nuk e ka pasur një fat të tillë.

“I pari dhe i fundit që ma kërkon me dëshirë dhe me pahir është kryeministri i sotëm. Kemi krijuar një raport funksional, politik dhe njerëzor me të cilin shkëmbejmë mendime për gjëra thelbësore. Atij i pëlqen të thotë se ka një avantazh shumë të madh, që ai ka kë të pyes e unë s’kam pasur asnjë.”, deklaronte Nano./ Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT