A ka ardhur në Shqipëri? Varianti britanik i koronavirusit prezent në Ohër, por 10 mijë vetë hynë dhe dolën në Qafë Thanë pa kryer tampona në tre ditë

Rritja e rasteve të me variantin britanik të koronavirusit në Maqedonisë së Veriut, i cili ka shpërthyer gjerësisht në Ohër, nuk ka bërë deri më tani që Shqipëria të kufizojë ose rrisë kontrollet shëndetësore në kufin midis dy vendeve.
Qytetarët po hyjnë dhe dalin në pikën kufitarë të Qafë Thanës pa pasur nevojën të paraqesin një tampon që vërteton se nuk janë të infektuar, pavarësisht se Maqedonia, ashtu si shumë vende fqinje të Shqipërisë po sheh raste në rritje të të infektuarve me variantin e ri.
Burime zyrtare shprehen se brenda tre ditëvë të fundit, nga kjo pikë kalimi kufitar kanë hyrë e kanë dalë më shumë se 10 mijë qytetarë.
“Shumë qytetarë po përdorin Qafë Thanën pas mbylljes së Kapshticës. Këto 72 orë më shumë se 5000 vetë kanë dalë nga Shqipëria për në Maqedoninë e Veriut sepse po e përdorin si vend tranzit për shkuar në Greqi”, thonë burimet sipas Gazetës Si.
Por edhe më shqetësuese është numri i madh i qytetarëve që kanë hyrë nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri. Sipas burimeve, më shumë se pesë mijë persona kanë hyrë po ashtu nga Qafë Thana në drejtim të vendit tonë, pasi një pjesë e tyre, kryesisht shqiptarë të Maqedonisë, zgjedhin të kalojnë fundjavën.
Ky fluks i madh qytetarësh në kufi vjen ndërkohë që vendi fqinj po përballet me shpërthimin e variantit britanik të koronavirusit, i cili duket se po përhapet kryesisht në komunitetet shqiptare në vendin fqinj. Ministria maqedonase e Shëndetësisë ka njoftuar se së fundmi, prezenca e mutacionit nga Britania e Madhe është zbuluar tek 45 tamponë të personave të infektuar.
Pacienti i parë me këtë variant virusit në këtë laboratori është diagnostikuar më 13 janar 2021 në Ohër dhe që prej atëherë prezenca e tij është rritur së bashku me rritjen e rasteve të reja pasi mutacioni anglez sipas studimeve rreth tij tregon se është më i rrezikshëm dhe vdekjeprurës.
Për momentin ky variant i virusit ka shpërthyer në Ohër, ku janë zbuluar edhe pjesa më e madhe e 45 rasteve. Mutacioni anglez është zbuluar po ashtu në qytete të tjera si Tetova, Struga, Kumanovë dhe Prilep.
Të gjitha vendet në kufi me vendin tonë kanë raportuar raste në rritje të variantit të ri, por praktikisht Shqipëria është e lirë dhe pa barriera.
Në një thirrje të prerë, drejtuar kryesisht komunitetit shqiptar, Ministria maqedonase e Shëndetësisë i ka bërë thirrje të gjithë qytetarët të mbajnë maska edhe në shtëpi.
Mjekët maqedonas ndërkohë paralajmërojnë se për shkak se transmetueshmërisë së madhe të variantit të ri, me siguri do të bëhet dominues në vend pas disa muajsh. Varianti britanik i koronavirusit ka qënë në fakt prezent në vendin fqinj që nga muaji dhjetor.
Kjo është dokumentuar nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, ku pas analizimit të 48 mostrave pozitive nga muaji dhjetor, pesë rezultuan se ishim me variantin britanik.
Sipas të dhënave nga INSTAT, nga Maqedonia e Veriut kanë hyrë rreth 31.826 qytetarë , nga Kosova vetëm në dhjetor rreth 85.648 nga Greqia rreth 5.714 persona, ndërkohë nga vende të tjera ku prej kohësh kishte filluar ekspozimi i mutacionit të ri, ka qenë më i paktë se vendet e rajonit (Angli 3.849, Itali 9.648 etj).