Ende s’ka reagim nga BE-ja karshi ofendimit të shqiptarëve në Serbi me termin ‘’šiptar’’

Termi ‘’šiptar’’ për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit është i papranueshëm.
Për këtë deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i është drejtuar deputetëve të këtij Kuvendi të martën duke mbajtur fjalimin e plotë në gjuhën shqipe, vetëm një ditë pasi një gjykatë e këtij shteti nuk e dënoi termin ofendues për shqiptar “šiptari”, të përdorur nga ministri serb i mbrojtjes Aleksander Vulin.
Kamberi në një intervistë për Albanian Post thotë se ky vendim është zhgënjyes për të pasi siç “kjo logjikë ksenofobe ndaj shqiptarëve ka një pjesë e shoqërisë serbe”, por “me ketë vendim po legalizohet, njëkohësisht shënon një precedent të rrezikshëm për komunitetet në Ballkan”.
Pos termeve fyeses për shqiptarët, Kamberi thekson se shteti serb ka filluar metodën e pasivizimit.
“Është një metodë e legalizimit të pastrimit etnik që ka filluar në vitet e pasluftës në Kosovë 1999/2000, i cili për momentin ka pastruar gati se Medvegjën nga shqiptarët, por shumë shpejt efektet e tij negative mund të ndihen edhe në Bujanoc e Preshevë”, shtoi ai.
Kjo politikë sipas tij ka për qëllim zvogëlimin e numrit të shqiptarëve në këto komuna për të ndikuar në ndryshimin etnik të popullsisë në rajon.
Në anën tjetër, gazetari kosovar Idro Seferi i cili qe disa vite raporton nga Beogradi, thotë se kjo nuk është një legjitimim në tërësi, por arsyet që i ka dhënë gjykata për termin ‘’šiptar’’ nuk qëndrojnë dhe janë kryekëput pezhorative dhe shoveniste.
“Ne gjuhën e përditshme nuk përdoret nga të gjithë si shprehje dhe përgjithësisht njerëzit bëjnë kujdes”, thotë Seferi.
“Ajo që është shqetësuese është fakti qe ministri i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, dhe disa media e përdorin këtë ne diskursin e përditshëm publik”.
Sipas Seferit, “kjo nuk guxon te jete një gjë e tolerueshme kur behet fjale për një proces politik te zgjidhjes se problemit dhe nxitja e urrejtjes është e kobshme”.
“Duhet të bëhet kujdes maksimal për shkak se edhe shqiptaret kanë pakicë në Serbi e edhe serbët në Kosovë”.
Albanian Post ka dërguar pyetje për këtë çështje në adresë të zyrës për media të Bashkimit Evropian, veçse askush nuk ka kthyer përgjigje gjatë së martës.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Drejtësisë në Kosovës, Selim Selimi, që është me prejardhje nga Presheva tha shkurt për Albanian Post se “ky është një shembull tjetër pse Serbia ka nevojë për dezinfektim”.
Të hënën, Gjykata e Lartë në Beograd kishte refuzuar të shpallte fajtor ministrin Aleksandër Vulin, për diskriminim, fyerje e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Për këtë gjykatë s’vlejti as vendimi i Gjykatës së Apelit, që më 2018 kishte sanksionuar përdorimin e këtij termi si gjuhë të urrejtjes.