Gazetarja Anila Hoxha zbulon zonat e shpërndarjes së drogës në Tiranë

Vetëm në kryeqytet, 303 shtetas u konstatuan nga shërbimet policore me doza droge kryesisht hashash dhe kokainë. Pjesa dërrmuese e tyre deklarohen menjëherë si përdorues, ndërsa një fakt të tillë e kanë konfirmuar më pas edhe analizat toksikologjike në funksion të hetimeve të hapura nga akuza e Tiranës.
Për 202 prej shtetasve të shoqëruar gjatë kësaj periudhe në ambientet policore, Prokuroria ka vendosur më tej mos fillimin e hetimeve bazuar në sasinë e vogël të lëndës narkotike të gjetur në trup si dhe evidentimit të këtyre personave si përdorues.
Kjo shifër përfshin 67 për qind të të referuarve në total që iu dorëzuan Prokurorisë nga autoritetet policore të referuar në gjendje të lirë. Qasja e prokurorisë për shtetasit e referuar me sasi të vogla droge përveç mosfillimit të hetimeve ka qenë tolerante edhe në masat e kërkuara në gjykatë.
Ndërsa Gjykata ka shpallur vendime arresti kryesisht për ata persona që veç dozave të drogës janë vendosur nën hetim dhe për vepra të tjera si armëmbajtja, vjedhja dhe dhuna në familje.
Këto të dhëna i përkasin harkut kohor nga muaji nëntor 2020 deri-janar 2021 sipas një monitorimi bazuar në platformën e Qendrës “Fol”, që po ndjek qasjen e institucioneve për disa vepra penale të kryera në qarkun e Tiranës.
E ftuar në “Wake Up”, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbuloi edhe zonat e shpërndarjes së drogës në Tiranë.
“Shumica janë për bimë narkotike, posedim hashash, pastaj në vend të dytë kokainë dhe pjesa tjetër janë përdorues të heroinës. Është një shifër shqetësuese, sepse të gjithë ata janë frekuentues në zona të populluara. 2% e personave të konstatuar me doza hashashi janë përsëritës.
Në vend të parë konsiderohet zona e Selvisë, zona e Lapidarit në Mjull Bathore, zona e Laprakës te vendi i quajtur ‘katrori’, po i konsideroj me zona.
Zona e Kombinatit e Astirit dhe Bulevardi i ri janë zona ku të rinjtë zakonisht, edhe duke ecur në këmbë apo në automjet e përdorin.
Është edhe një pjesë tjetër në një rrethrrotullim të një qendre tregtare. Aty kapen jo vetëm përdorues hashashi, pro edhe të kokainës”, bëri të ditur gazetarja.