Liroi kriminelët/ Thellohet skandali, si binin në kontakt të burgosurit me gjykatësen Enkeleida Hoxha

Zbulohen detaje të reja nga gjyqtarja që kishte hapur dyert e burgut për të dënuarit për krime të rënda.
Sipas news 24, Altin Skëndaj dhe Gentian Nezaj, dy nga të arrestuarit e SPAK në çështjen ku u prangos gjyqtarja Enkelejda Hoxha, janë liruar nga gjyqtarja disa muaj më parë.
Mësohet se ish-të dënuarit në burgun e Fushë-Krujës pasi liroheshin me kusht nga kjo gjyqtare, lidhnin kontakte me Aldo Tabakun për shkak të marrëdhënies me gjyqtaren, për lirimin e të tjerëve.
Po sipas news 24, Altin Skëndaj gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Krujës është njohur me Bledar Petanin, i cili dyshohet se është edhe ndërmjetësi i tij me gjyqtaren Enkelejda Hoxha. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha e ka liruar Skëndajn me kusht 7 muaj më parë.
Bashkë me Skëndajn, dje u arrestua edhe Gentjan Nezaj, i shpallur në kërkim për trafik droge në Itali. Ai arriti tek gjyqtarja përmes Isuf Tonuzit, i cili e njohu me Aldo Tabakun.
Një sërë bisedash me Isuf Tonuzit dhe Aldo Tabakut i kanë provuar Prokurorisë së Posaçme faktin se disa anëtarë të botës së krimit kishin në plan të liroheshin me ndihmën e gjyqtares Enkelejda Hoxha.
Gjyqtarja Hoxha u arrestua pasi po planifikonte lirimin nga burgu të një tjetër të dënuari. Mësohet se ajo kishte marrë 12 mijë euro për lirimin me kusht të Saimir Petanit, të dënuar për vrasje./Gazeta SHQIP