116 vjet nga vrasja e atdhetarit Papa Kristo Negovani

Ishte 12 shkurti i vitit 1905, kur Papa Kristo Negovani së bashku me të vëllain e tij, Papa Theodhosin, dhe tre bashkëfshatarë të tjerë u masakruan nga andartët grekë. Ai qe një ndër frymëzuesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin.

Papa Kristo Negovani u lind në vitin 1875 në Negovan të Kolonjës. Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë.

Papa Kristo Negovani u vendos për disa kohë në Rumani ku punoi duke ushtruar profesionin e drugdhendësit. Në atmosferën e shoqërive atdhetare shqiptare, ai u bë pjesë e shoqërisë së shqiptarëve “Shpresa” duke u angazhuar në veprimtaritë e saj. Më 1897, pasi u kthye në vendlindje iu kushtua tërësisht lëvrimit të gjuhës shqipe, lirisë e pavarësisë së vendit.

Me librat shqip, të sjellë në Negovan, hapi fshehtas shkollën e parë shqipe për bashkëfshatarët e tij dhe me interesimin e tij u dërguan vajzat e para nga Negovani në shkollën shqipe të vashave në Korçë. Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905, organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe, dhe 2 ditë më vonë, u pushkatua.

Ndër veprat letrare të Papa Kristo Negovanit vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë”, në Sofje më 1903 etj, si dhe shkroi e përkthyeu në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT