“Nuk bëhem pjesë e lojës së tij”, Basha mesazh të fortë Ramës: Të japë dorëheqjen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka dërguar kryeministrit Edi Rama një mesazh të fortë, ku i kërkon që të marrë përsipër përgjegjësitë për dështimet e tij.
E jo vetëm kaq, Basha i kërkon Ramës që të japë dorëheqjen. Në një postim në “Facebook”, kryedemokrati shprehet se nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e lojës së Ramës.
Gjithashtu kreu i PD-së shton se sjellja e kreut të qeverisë është tipike e humbësit, që akuzon këdo dhe nuk pranon asnjë përgjegjësi për vete.
Mesazhi i Lulzim Bashës:
Është qesharake se si njeriu që e ka lënë Shqipërinë prej 8 vjetësh vend numëro e nuk ka bërë as edhe një hap para, i lejon vetes të merret me mua, në vend që të marrë përsipër përgjegjësitë për dështimet e tij e të japë dorëheqjen.
Unë nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e kësaj loje. Kjo është sjellja tipike e humbësit që akuzon këdo dhe nuk pranon asnjë përgjegjësi për vete. Shqiptarët janë ngopur me të dhe llojin e tij.
Para 8 vjetësh shqiptarët në vend të një kryeministri, morën një aktor estrade që e la Shqipërinë vendnumëro. Estrada e Ramës po ju kushton shqiptarëve shumë shtrenjtë. Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një kryeministër të vërtetë. Me 25 prill Rama humb dhe Shqipëria fiton.