Albin Kurti optimist: Sot shteti i kthehet popullit, është ditë e bardhë

Kandidati për kryeministër të Kosovës i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka votuar para pak çastesh bashkë me bashkëshorten e tij.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Kurti u shpreh optimist teksa tha se sot është ditë e bardhë dhe e ndritshme ashtu siç do të jetë ardhmja e Kosovës.
“Sot është ditë e bardhë,e ndritshme ashtu siç do të jetë e ardhmja jonë. Kosova si shtet i pavarur këtë të diel i kthehet popullit, me dashur për vendin duhet të votojmë”, theksoi ai para mediave.
Më herët kanë votuar edhe Enver Hoxhaj nga PDK dhe Ramush Haradinaj, i cili synon presidencën.
Prej orës 07:00 të mëngjesit ka nisur procesi i votimit në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në këtë garë zgjedhore janë regjistruar 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare, ndërsa 1052 kandidatë synojnë për 120 vendet e parlamentit të ri.
Procesi ka nisur normalisht pothuajse në 2382 qendrat e votimit, ndërkohë që 1.7 milionë qytetarë kanë të drejtë vote./ Gazeta SHQIP