FOTOT/ Kompanitë nuk pastrojnë rrugët nga bora, në Pogradec qytetari kap lopatën

Pavarësisht se IGJEUM paralajmëroi prej disa ditësh për reshje të dendura bore, kompanitë që merren me mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri nuk moren masa, duke krijuar kaos.
Rasti më flagrant i neglizhencës ishte aksi Milot-Lezhë. Edhe pse në një zonë fushore dhe pa ndonjë trashësi të madhe bore, në këtë aks dje u bllokuan gjatë natës qindra automjete.
Gjatë ditës së sotme raportohet për disa fshatra të bllokuar në gjithë Shqipërinë, por ajo që bie në sy është se edhe në qytetet e mëdha, rrugët vijojnë të jenë të mbuluara nga bora.
FOTOT e mëposhtme vijnë nga Pogradeci. Kompania përgjegjëse për pastrimin e qytetit nuk ka ndërhyrë për të pastruar rrugët, duke lënë të bllokuara automjetet dhe qytetarët.
I braktisur nga autoritetet, një qytetar ka kapur lopatën, për të pastruar rrugën dhe për të nxjerrë mjetin e tij nga vendparkimi.
Probleme raportohen kryesisht në Dibër, Kukës, Tropojë, Bulqizë, Elbasan, Krujë, Korçë. Disa fshatra dhe mijëra banorë janë të izoluar, ndërsa raportohet se kanë edhe probleme me energjinë elektrike. /Gazeta SHQIP