“Është përditshmëria që zgjodhëm vetë, që lejuam të lulëzojë. Aktivisht e pasivisht ushqyem mënxyrën e cila po na merr frymën. Kush do ta hedhë gurin i pari?”

Nga Edona Llukaçaj – Botuar në DITA

Këtë javë një gjyqtare e shumëlakuar për vendimet e saj konform një interpretimi krejt personal të ligjit dhe që kishte mundësuar lënien të lirë apo zbutjen e dënimit të një numri të burgosurish, u arrestua. Përgjimet e “grupit të saj të punës” hodhën dritë edhe mbi mënyrën se si ishte bindur një mjek i njohur dhe i sukseshëm i QSUT për të marrë përsipër një ndërhyrje kirurgjikale jashtë rradhe.

Teksa opinioni publik shpreson fort se drejtësia këtë herë, vërtet, do bëjë punën e vet, ai gjithashtu duket disi i hutuar prej përmbajtjes së një pjese të bisedave të përgjuara. Shumat e parave në cash që pretendohen se janë gjetur në zyrën dhe shtëpinë e mjekut në fjalë janë marramendëse dhe mund të ngrenë edhe dyshime.

Por është e vështirë të besosh se ka shqiptar që çuditet nga ‘zarfat’ paradhënie për kujdes mjekësor, apo nga ata që nuk përgatisin minimalisht “pesëshe e dhjetëshe” rrugës për në spital. Të paguarit , apo siç thuhet rëndom ‘të gjeturit e anës për të zgjidhur hallin’ shqiptarët e kanë mësuar nga eksperienca.

E fatkeqësisht ky nuk është standardi i pashkruar vetëm për pak shërbim mjekësor. Kjo është rruga më e mundshme në çdo fushë, si për të arritur të pamerituarën ashtu edhe për të marrë të drejtën. Pa dashur të hedh baltë mbi ata që edhe mund t’i kenë rrezistuar tundimit dhe nuk janë bërë vetë pjesë e paudhësisë, nuk mund të mendohet se ka shqiptar që nuk e di si funksionojnë skemat “punë-mbaruese”.

Të gjithë jemi të vetëdishëm se nota vlerësuese në provim mund të jetë në raport të drejtë me trashësinë e zarfit. Po ashtu mund të sigurohen edhe vendet e punës. Çmimi i ndereve shprehet me “një kafe”. Bile edhe në kohë pandemie, distanca e tavolinave në bare e restorante shpesh matet me metrin e rushfetit.

Nëqoftë se ajo që hipotetikisht na çudit është mosrespektimi i rradhës për operacionin, pyes sa prej nesh janë ndjerë ‘të paaftë’ e janë quajtur ‘budallenj’ se prisnin rradhën që iu zgjatej pafundësisht? Në mungesë të mjeteve e miqve të duhur, shumë janë harruar rradhëve të sistemit orwellian “të më të barabartëve”. Pikërisht për këtë shumë ‘të pazotë’ kanë ikur. Kurse ata pa rrugëdalje tjetër kanë hequr dorë nga principet e janë përshtatur dhe kanë mësuar të paguajnë me ç’munden rrugët e shkurtra drejt qëllimit.

E nëse çudi përbën se është arritur të faktohet fenomeni i gabuar dhe i dënueshëm deri në palcë, më lejoni t’ju kujtoj se kjo nuk është hera e parë që shqiptarët i dëshmojnë me zë e me figurë shëmbëllimet e realitetit të tyre. Por në tridhjetë vjet, këto çudi tre ditë kanë zgjatur.

Pa tentuar të shfajësoj askënd që bën kompromise ndërgjegje-vrarëse e degraduese, se ashtu i shkon përshtat apo se janë viktima të sistemit, habia jonë para publikimit të rastit i ngjan asaj habisë kur një ditë tek shohim veten në pasqyrë e vëmë re se shumë rrudha paskemi, se shumë qenkemi plakur.

Prandaj asnjë prej nesh që aktivisht e pasivisht ushqyem mënxyrën e cila po na merr frymën, s’duket se mban aq pak mëkate mbi supe sa të hedhë gurin i pari. Ky fenomen është përditshmëria që zgjodhëm vetë, që lejuam të lulëzojë. Ndoshta prandaj u stepëm kaq fort.

—–

Gazeta DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT