Manastirliu ngre ALARMIN: U mbushen spitalet COVID në Tiranë, aktivizojmë spitalet rajonale

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se sot do të mbërrijnë në vend 7020 doza të tjera të vaksinës së Pfizer kundër koronavriusit.
Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu tha se pandemia nuk ka ikur dhe se kapacitetet spitalore nuk janë të pafundme.
Për pasojë, ministrja theksoi se duke nisur nga sot, do të aktivizohen spitalet rajonale, duke filluar me Shkodrën dhe me Durrësin.
“Pandemia nuk ka ikur, virusi është këtu dhe do të vijojë të jetë. Kapacitete spitalore nuk janë të pafundme. Kemi arritur mbi 500 të shtruar në spitale covid, rastet janë të rënda dhe te moshat e reja dhe kanë pësuar rritje kemi rritje të pacientëve në reanimacion.
Duke filluar nga sot do të aktivizojmë spitalet rajonale duke filluar me Shkodrën dhe Durrësin, më pas nëse do jetë nevoja do fillojmë me spitalet e tjera.
7020 doza vaksinash do të vijnë sot nga kontrata me Pfizer, e treta e një serie furnizimesh që nuk do të ndërpritet. Po operojmë në një situatë krize të thellë globale. Deri kur plani i vaksinimit të jetë zbatuar plotësisht, arma jonë është solidariteti mes nesh”, tha Manastirliu.