Akuza e dytë ndaj kardiologut Prifti: Mori paratë e operacionit, edhe pse pacienti kishte vdekur

SPAK ka nisur hetimet për korrupsion ndaj mjekut kardiolog Edvin Prifti dhe se mësohet se në dosjen hetimore ka edhe një çështje tjetër që mund të rëndojë së tepërmi pozitat e tij.
Sipas Report TV, në provat e prokurorisë së Posaçme, SPAK është edhe një rast i referuar nga QSUT, bazuar në gusht të 2020.
Mësohet se qytetari ka denoncuar se mjeku Edvin Prifti i ka marrë para për t’i kryer operacionin e një të afërmi të tij, por ky i fundit ndërroi jetë.
Për pasojë, sipas qytetarit, mjeku i ka kthyer gjysmën e parave të marra e për këtë pretendon se ka edhe SMS.
Ky mund të jetë denoncimi që kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama disa ditë më parë, që bëri të ditur se ankesa ishte administruar nga ana e Drejtorit të QSUT dhe ishte përcjellë.
“Bashkë me gjykatësen, u arrestua edhe një mjek, që ju gjetën në shtëpi paratë e dynjasë. Është një lajm shumë i mirë për sistemin, kjo do të rrisë besimin e njerëzve që të denoncojnë dhe faktikisht në rastin e mjekut ka pasur një denoncim të cilin e ka përcjellë drejtori i spitalit në sistem, të cilin tha shikojeni nuk jam unë që ta provoj por shikojeni është nuk është. Kështu gjërat fillojnë dhe vijnë hap pas hapi, nuk ka formula magjike, asnjë mundësi që gjërat të bëhen në kohën e nevojshme dhe mbi të gjitha pa vetëdijen që nuk bëhet dot ajo që s’është bërë me vite e vite duke përsëritur të njëjtën gjë. Sa herë të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të tjera”, tha Rama disa ditë më parë.
Me kërkesë të SPAK, kardiologu Edvin Prifti është arrestuar në sallën e gjykatës së posaçme këtë të shtunë. Arrestimi i tij u kërkua nga prokurori Altin Dumani i cili në seancë shtoi edhe akuzën e pastrimit të parave ndaj kardiologut të njohur. Në shtëpinë dhe zyrën e tij policia dy ditë më parë sekuestroi një shifër rekord në vlerën e 380 mijë euro cash, por doktori tha se paratë i kishte nga puna dhe shitblerja e pronave.
Emri i Edvin Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha.
Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.
Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim, pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha, por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.
Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj.
Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash në zyrë e shtëpi.