Gazetari: Jemi brumuar ta japim atë dreq leku edhe kur nuk na e kërkojnë

“Arrest me burg” është masa e sigurisë që u dha të shtunën për mjekun e njohur, Edvin Prifti. Kardiokirurgut iu gjetën në shtëpi 250 mijë euro dhe 160 mln lekë. Emri i tij doli në përgjime në kuadër të operacionit për arrestimin e gjyqtares, Enkelejda Hoxha.
Gazetari Elio Laze tha në emisonin “Shqipëria Live” se Prifti është një mjek profesionist. Sipas tij, në fillim duhet parë çështja e sistemimit të shëndetësisë.
“Në fillim është çështje sistemi, është faji jonë. Ky sistem që ne po jetojmë prej vitesh na ka brumuar që ta japim atë dreq leku, edhe kur nuk na e kërkojnë. Na është bërë e zakonshme”, tha gazetari.
Laze tregoi edhe një rast personal, kur një njeri i tij ishte shtruar në spital për një operacion.
“Kisha një njeri timin për një ndërhyrje kirurgjikale. Dikujt ja mbusha xhepin me dëshirë, pa më kërkuar njeri asgjë. Shumë gabim, e pranoj, por është ajo që jemi mësuar ndër vite. Unë paratë i dhashë pasi e kishim marrë të gjithë shërbimin”, tha Elio.