“Djai im i ndjerë punoi për të siguruar të drejtat e shqiptarëve”, Biden letër Kosovës: Ju vazhdoni të mbani një vend të veçantë për familjen Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar sot një letër urimi Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani për 13-vjetorin e pavarësisë.
Presidenti Biden shkruan se pret me padurim që të punojë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane.
“Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e Biden.
Në letrën e tij, Biden theksoi gjithashtu edhe lidhjen e fortë familjare që ka me shtetin e Kosovës duke shtuar se marrëdhënia mes popullit shqiptar dhe amerikan mbetet e fortë, bazuar në një përkushtim të përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për të siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, shkruan presidenti i SHBA. /Gazeta SHQIP