Edi Rama: Gomari jam unë, po ja pse jam gomar i mirë

Gjatë prononcimit për mediat nga stadiumi “Air Albania” kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse do t’i presë vetë dozat në aeroport.
Kreu i qeverisë tha se kur ai nuk shkon nisin pretendimet pse vijnë fshehurazi vaksinat, ndërsa kur shkon akuzohet për propagandë.
Rama solli një krahasim me dilemën popullore “çfarë ujë t’i japësh gomarit”, duke u shprehur se ai është një “gomar” që e çon gjithmonë në destinacion ngarkesën.
“Kur erdhën vaksinat në fillim dhe nuk i prita unë dhe s’i priti njeri në aeroport ju e hapët syrin shumë fortë dhe pretenduat të kundërtën, ‘pse vijnë fshehurazi’, ‘pse nuk i shohim’, ‘në vende të tjera dalin vetë kryeministrat’, ‘këta po sjellin vaksina falso’, ‘po sjellin ujë fiziologjik’. Kur shkojmë është e kundërta, pse shkojmë ‘ç’është kjo propagandë’. Duke qenë se njerëzimi, veçanërisht kombi ynë në shekuj nuk e zgjidhi dot kurrë dilemën, ‘çfarë ujë t’i japësh gomarit’, unë kam vendosur që të bëj atë që mendoj që është e drejtë dhe pastaj sipas rastit e vlerëson gomari a duhet i ngrohtë apo duhet i ftohtë.
Gomari jam unë gjithmonë kuptohet se unë mbaj ngarkesën, marr dhe të sharat, por kam një mirë që jam gomar që e çoj në destinacion ngarkesën gjithmonë pavarësisht se ata që Faik Konica i quan dembelët aktivë të Shqipërisë nuk më lënë rehat asnjë moment, megjithatë jam mësuar dhe me ta dhe ma bëjnë më të lehtë rrugën se më japin më shumë energji dhe më japin më shumë vendosmëri”, deklaroi Rama.