“Më kthe lekët, ndryshe…”/ SPAK bën lëvizjen e radhës ndaj mjekut Edvin Prifti

Prokuroria e Posaçme SPAK, ka tërhequr nga prokuroria e Tiranës kallëzimin që mjeku, Edvin Prifti, ka bërë në muajin dhjetor 2020 ndaj qytetarit nga Lushnja, Leonard Selmanaj.

Tashmë çështja e korrupsionit dhe dy kallëzimet e ndërsjellta të kryera nga Selmanaj dhe mjeku Prifti, janë bashkuar dhe po hetohen në një çështje të vetme.

Fillimisht dosja penale është regjistruar në prokurorinë e Tiranës, për akuzën e “Kanosjes për shkak të detyrës”, pasi sipas mjekut Edvin Prifti, ishte qytetari nga Lushnja, Leonard Selmanaj që ishte kthyer në një problem serioz, duke e kërcënuar në telefon.

Në këto biseda, qytetari Leonard Selmanaj e kërcënon me jetë doktorin Prifti me qëllim që ky i fundit t’i kthente një shumë monetare që sipas tij i kishte dhënë doktorit për kryerjen e operacionit të nënës.

Konflikti mes qytetarit dhe mjekut ka nisur në momentin kur personi që ishte operuar disa muaj më parë, ka ndërruar jetë pasi dyshohej se ishte infektuar me Covid-19.

Pas vdekjes së familjares, Leonard Selmanaj ka filluar debatin në telefon me mjekun, duke kërkuar mbrapsht shumën që ai pretendonte se ja kishte dhënë mjekut për operacion.

Si pasojë e këtyre shqetësimeve, burime pranë prokurorisë së Tiranës, thonë se kardiologu, Edvin Prifti, ka zhvilluar dhe një takim me kryepolicin Ardi Veliu, të cilit ia ka treguar të gjithë zanafillën e problemit me qytetarin.

Tashmë çështja e kallëzimit të doktorit, qytetarit nga Lushnja dhe çështja e korrupsionit, po hetohet në një dosje të vetme nga prokurori, Altin Dumani.

Veç akuzës së korrupsionit pasiv, ndaj mjekut u ngrit dhe akuza e “Pastrimit të Produkteve të veprës penale” për shkak se në banesën dhe zyrën e mjekut, SPAK sekuestroi 250 mijë euro dhe 160 milion lekë të vjetra./Oranews

Back to top button
LAJMET E FUNDIT