Manastirliu në Vlorë: Vaksinimi do të shtrihet edhe në moshat mbi 80 vjeç

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar qendrën e tretë të vaksinimit, e hapur sot në stadiumin e Vlorës, ku ka nisur procesi vaksinimit për personelin shëndetësor.
“Sot fillojmë vaksinimin në Vlorë me mjekët dhe infermierët e Vlorës dhe spitalit bashkiak të Sarandës. Edhe mjekë, infermierë nga qarqe të tjera do të vijnë këtu që janë nga qarqe të tjera në mënyrë që të bëhet vaksinimi në qendrat e përqendruara të vaksinimit. Sot kanë mbërritur rreth 200 doza vaksine në Vlorë. Kemi ambicien që të kryejmë sa më shumë vaksinime”, tha Manastirliu.
Duke folur për procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se me ardhjen e vaksinave të tjera procesi i vaksinimit do të shtrihet edhe në kategorinë +80 vjeç, ndërkohë që do të vijojë sipas planit në të gjitha shtëpitë e të moshuarve publike dhe jo-publike.
“Sigurisht me ardhjen e vaksinave do të fillojë dhe shtrirja me kategorinë +80 vjeç dhe do të vijojë në qendra të tjera duke u kryer edhe në pole të tjera në të gjithë Shqipërinë. Këtë javë ka filluar vaksinimi në Shkodër dhe ka vijuar në Tiranë. Kemi një ritëm shumë të mirë të vaksinimeve. Vetëm dje janë kryer mbi 600 vaksinime, duke përfshirë këtu edhe të moshuarit dhe kujdestaret e tyre dhe stafet në qendrat apo shtëpitë e të moshuarve.
Sigurisht që ajo çfarë ne jemi duke bërë është që po garantojmë që edhe shtëpitë e të moshuarve publike por edhe ato jo-publike të vaksinohen të gjitha menjëherë sipas një plani të detajuar që po ndiqet nga Operatorët e Kujdesit Shëndetësor Rajonal dhe ai Qendror”, tha Manastirliu.