Gjejnë shpëtim në Kosovë/ Mjekët: Ja sa pacientë me Covid nga Shqipëria janë të shtruar në Prizren dhe Gjakovë

Shumë pacientë me Covid-19 nga verilindja e Shqipërisë kanë gjetur shpëtim dhe kurim në spitalet e Prizrenit dhe Gjakovës në Kosovë.
Ata shprehen se atje përveç trajtimi profesional dhe dinjitoz, kanë pasur mbi krye mjekë të përkushtuar maksimalisht.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë, që prej shpërthimit të pandemisë, dhjetëra pacientë nga Shqipëria kanë marrë kurim të specializuar në pavijonet e Kosovës.
Në një lidhje Skype për “Wake Up”, Hilmi Shala, drejtor i spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë tha se aty kanë marrë shërbim dhjetëra pacientë nga Shqipëria.
“Sot në raportin e mëngjesit që kemi marrë nga ekipet kujdestare janë 7 pacientë, të cilët janë nga zonat e Shqipërisë. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, vetëm njëri prej tyre është në kujdes intensiv.
Që nga muaji tetor kur kemi filluar trajtimin e pacientëve me Covid kanë qenë 82 pacientë që kanë qenë të hospitalizuar pranë spitalit tonë”, bëri të ditur ai.
Gjithashtu, edhe në spitalin “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka të shtruar pacientë nga Shqipëria.
Drejtor i këtij spitali, Afrim Avdaj tha se aktualisht janë të shtruar 18 persona. “Kemi aktualisht 18 pacientë të hospitalizuar me Covid. Ndërkohë prej fillimit të pandemisë, kemi trajtuar 65 pacientë me Covid-19”, tha mjeku.