“Shqiptarët do votojnë me shpata…”/ Ilir Meta përplaset me Erion Braçen: Hiq dorë nga këto mistrecllëqe se ty…
Presidenti Ilir Meta dhe zv.kryeministri Erion Braçe janë përfshirë në replika lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.
Një deklaratë e Metës se shqiptarët më 25 prill do shkojnë votojnë me pasaporta, me karta dhe shpata, solli reagimin e ashpër të Braçes. Zv kryeministripyet presidentin se përse duhet të votojmë me shpata këtë herë kur sipas tij kemi një jetë që votojmë me letër dhe laps.
Pas mesazhit të Braçes, reagoi zëdhënësi i presidentit, ku i kërkonte zv.kryeministrit të hiqte dorë nga këto mistrecllëqe.
“Erion hiq dorë nga këto mistrecllëqe, se ty nuk të shkojnë dhe as të kanë hije! Boll më me këto marifete të dala boje! Bëju thirrje shqiptarëve për të dalë masivisht në votime! Mos u trembni nga vota e shqiptarëve! Referendumin historik të 25 prillit nuk e ndal më asnjë mistrecllëk apo marifet me kartat ID! Ti këtë e di shumë mirë! Ke dhe eksperiencën e duhur për ta kuptuar! Dhe si ish gazetar, e ke një detyrim në respekt të profesionit, t’u bësh thirrje ish-kolegëve të tu, të mos fabrikojnë më lajme të rreme dhe të publikojnë marrëzira për një tas përshesh! Në pritje të reflektimit tënd Erion!”, shkruan zëdhënësi i presidentit.
Çfarë tha Meta më herët
Kujtojmë se më herët presidenti Meta tha: “Me pasaporta, me karta, me shpata shqiptarët do shkojnë të votojnë më 25 prill, kjo histori ka përfunduar. Kushdo që do t’i demoralizojë, të lidhë kokën me peshqir. Pjesëmarrja do jetë historike. Shqipëria do ngrihet më këmbë. Shqiptarët e kanë kuptuar se fuqia e tyre është vota.
Vota është e drejta e pronës, e drejta për punë, e drejta për të përballuar një jetë me dinjitet, për t’u përfshirë nga pikëpamja sociale dhe ekonomike. Çdo përpjekje për të demoralizuar shqiptarët është e dështuar. Të gjithë të shkojnë dhe të votojnë për të ardhmen europiane të Shqipërisë, për dinjitetin e tyre, kundër shpopullimit të Shqipërisë. Është një dramë e madhe. Në Shqipëri nuk kemi largim, kemi shpopullim.
Duhet t’i krijojmë të gjithë mundësinë që jo vetëm të lindin në Vlorë dhe të jenë krenarë por edhe të kenë një të ardhme të mrekullueshme.”