“Nuk u besoj shifrave, është skandaloze”, mjeku kardiolog: Jam për mbyllje inteligjente, prokuroria të hapë proces

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka deklaruar ditën e sotme se do të vazhdojnë të jenë në fuqi të njëjtat masa që ishin dy javët e fundit. Fasha e orarit policor do vijojë të mbetet 20:00 – 06:00. Ndërkohë nuk u tha për mbyllje në fundjavë.

Këto masa u komentuan ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku në një lidhje të drejtpërdrejtë ishte mjeku kardiolog, Petrit Vargu, i cili tha se nuk u beson shifrave që jepen në lidhje me infektimet.

“Unë jam nga ato që nuk i besoj shifrat. Këtu ka diçka që nuk shkon. Ka një numeristikë ndryshe nga vendet e botës. Deklarojnë një numër të vogël të shtruarish në spital dhe një numër shumë të lartë infektimesh, këtu nuk ka përputhshmëri. Në mjekësi logjika futet pasi janë shifrat, këtu nuk ka një përpjesëtim statistikor. E duke qenë se përpjesëtimi nuk është i saktë, atëherë fus logjikën”, tha mjeku kardiolog.

Sipas tij, në Shqipëri nuk bëhen teste të mjaftueshme. “Është skandaloze. Prokuroria duhet të hapë një proces pasi Komiteti i Ekspertëve nuk është vendimmarrës. E dyta në Komiteti i Ekspertëve ka njerëz që nuk kanë lidhje me virologjinë. E kam fjalën për shumë veta, i njoh që kur punon infermier tek unë. Nuk diskutohet fjala që them, e them me shumë kompetencë”, tha ai.

Ndërkohë Vargu tregoi edhe një bisedë me një grua që është pjesë e Komitetit Teknik, e cila ka disa javë që kërkon mbyllje. Sipas Petrit, vendi nuk mbyllet për shkak të politikës.

Mjeku kardiolog u shpreh se ai është për një mbyllje inteligjente, jo totale. “Mos të preken ato pjesë të ekonomisë që mbajnë familjet me bukë. Por të mbyllen ato që nuk luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë. Unë jam për mbylljen e shkollave. Me mbylljen e disa muajve apo një viti, nuk do të thotë se ne do të nxjerrim breza më të dobët. Vetë struktura e shkollës të bën që të rikuperohesh. Baret dhe restorantet duhet të ketë kufizime, por që duhet të kenë shumë rregull. Nuk është momenti kur pronarët duhet të përfitojnë”, tha mjeku i njohur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT