Meta sulmon Ramën: Covid u shfrytëzua pabesisht për shkeljen e të drejtave të njeriut, u dhunuan qytetarët

Presidenti Ilir Meta ka sulmuar kryeministrin Edi Rama lidhur me menaxhimin e pandemisë.
Kreu i shtetit, shkruan se COVID-19 jo vetëm i thelloi pabarazitë në vend, por u shfrytëzua pabesisht edhe për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve për motive.
Teksa kujton zgjedhjet e 25 prillit, Meta thotë se ky duhet të jetë viti për t’i thënë NDAL shkeljes së të drejtave të njeriut.
Meta vazhdon me politizimin e institucionit që drejton ndërsa flet për “pranverë shqiptare”.
“COVID-19 jo vetëm i thelloi pabarazitë në vend, por u shfrytëzua pabesisht edhe për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve për motive, që nuk kishin asnjë lidhje me pandeminë. Përpjekjet e Qeverisë për të shkatërruar demokracinë dhe kapur institucionet e pavarura nuk u kursyen as gjatë kësaj kohe, duke kulmuar me dhunë policore shproporcionale ndaj qytetarëve, shembjen kriminale të Teatrit Kombëtar dhe miratimin e të tjera koncensioneve dhe akteve antikushtetuese, që cenojnë interesin publik e kombëtar.
Duke e përshëndetur mesazhin e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, bashkëndaj të njëjtin qëndrim se ky duhet të jetë viti për t’i thënë NDAL shkeljes së të drejtave të njeriut.
Me referendumin historik të 25 prillit, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të ndahen nga kjo epokë e errët e dhunimit të demokracisë dhe degradimit të shtetit ligjor. PRANVERA SHQIPTARE PO VJEN!”, shkruan Meta.