Vërtetim vaksinimi për të hyrë në Greqi/ Gazetari sqaron gjithçka: Pas 2 muajsh…

Në samitin e BE-së të mbajtur pak ditë më parë, zyrtarët e lartë kanë rënë parimisht dakord të zhvillojnë një pasaportë apo certifikatë të njësuar vaksinimi, përmes së cilës personat e vaksinuar të mund të lejohen të udhëtojnë lirshëm, të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme.
Por, sipas krerëve të shteteve anëtare të BE-së ky është një proces që do të dojë disa muaj, nga përgatitja e certifikatave kombëtare të vaksinimit deri tek ato të njehsuara.
Shteti i parë që e ka propozuar këtë certifikatë, ka qenë Greqia. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis që në fillim të janarit i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të krijohet një certifikatë vaksinimi, gjë që sipas tij do të ndihmojë të rinisin normalisht kalimet mes kufijve dhe se një veprim i tillë do të “nxiste pozitivisht” qytetarët që të vaksinohen.
Aktualisht Athina ka krijuar certifikatën e saj të vaksinimit, ku çdo person vërteton që ka marrë vaksinën anti-COVID. Megjithatë, Greqia kërkon që pasaporta e vaksinimit të zbatohet edhe brenda unionit, madje duke filluar që prej muajit maj.
Në një lidhje për “Wake Up”, gazetari i Top Channel, Artur Bibe ka dhënë më tepër detaje rreth kësaj certifikate.
“Deri tani në Greqi janë vaksinuar rreth 850 mijë persona, që kanë marrë një ose dy doza, nga të cilat shumica e të cilave, rreth 550 mijë afërsisht, janë marrë të dyja dozat e vaksinës.
Në momentin që bën dozën e dytë të vaksinës, të jepet një vërtetim, ku me password-in tënd në kodin fiskal, mund të shkarkosh këtë vërtetim dhe ta kesh më vete.
Aktualisht ky vërtetim është i papërdorshëm. Për momentin mjafton ta kesh në xhep, sepse nuk të lejohet të udhëtosh, pasi kudo që të shkosh duhet të kesh testin me vete.
Por, pas komunikimeve me ministrinë e Mbrojtjes Qytetare, na thanë që 2 muaj më vonë do të jetë formati zyrtar i këtij dokumenti. Besoj do jetë një dokument i unifikuar për të gjitha vendet e BE-së, do jetë në anglisht dhe do të jepen disa dhëna të personit, jo shumë, që ka bërë vaksinën.
Ideja ishte që në dokument të shënohet lloji i vaksinës që ka marrë. Në këtë dokument duhet të mos ketë të dhëna që krijojnë racizëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, sqaroi ai.