Meta takim me Shoqatën “Durrësi Autokton”: Organizatat e shoqërisë civilet, të nxisin pjesëmarrjen në zgjedhje

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”.
Me një shënim në facebook, ku ka publikuar foto nga takimi, Meta përmend zgjedhjet e 25 prillit, ku thotë se “zëri i qytetarë të Durrësit dhe Shqipërisë duhet të dëgjohet më shumë se kurrë”.
Sipas kreut të shtetit “është tepër e rëndësishme, që organizatat e shoqërisë civile, të angazhohen për të nxitur një pjesëmarrje historike në këto zgjedhje”.
Postimi i plotë:
Shumë i lumtur, që ditën e parë të pranverës ta filloja me një takim me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”, për të ndarë shumë ide të frytshme për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike, arkeologjike dhe kulturore të këtij qyteti, nga masakrat urbane dhe vendimet arbitrare të pakonsultuara me komunitetin.
Zëri i qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë duhet dhe do të dëgjohet më fort se kurrë në referendumin historik të 25 prillit kur sovrani merr në dorë fatet dhe të ardhmen e tij dhe të Shqipërisë për 100 vitet, që do të vijnë.
Është tepër e rëndësishme, që organizatat e shoqërisë civile, të angazhohen për të nxitur një pjesëmarrje historike në këto zgjedhje, për të garantuar lirinë e ndershmërinë e tyre dhe çelur sa më parë negociatat me Bashkimin Europian.
Përmes zgjimit qytetar, pranvera do të vijë edhe më shpejt!