“Bota është në kushte emergjence të çmendur”, mjeku i njohur: Dy arsye se pse duhet të vaksinohemi

Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u fol në lidhje me vaksinat.Së fundmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen një zbulim i rëndësishëm, ku një panel ekspertësh i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, ka votuar të premten në favor të autorizimit të vaksinës me një dozë ndaj Covid-19, të kompanisë Johnosn & Johnson.
I ftuar ishte mjeku u njohur, Ilir Allkja, i cili tha se vaksinë 100 për qind të sigurtë dhe pa efekte anësore nuk do ketë asnjëherë.
“Vaksinë 100 për qind të sigurt dhe pa efekte, nuk ka asnjëherë. Këto efekte anësore janë të vogla. Bota është në kushte të një emergjence të çmendur, krejt të paparashikuar dhe shkencëtarët kanë bërë një mrekulli me këto vaksina”, tha Allkja.
Sipas tij, ka dy arsye se pse njerëzit duhet të vaksinohen.
“Mbrojnë vetveten dhe njerëzit e tjerë rreth tyre. Ka shumë njerëz që nuk mund të vaksinohen për shkak të sëmundjeve të rënda, e kjo është e rëndësishme që të bësh vaksinën”, tha mjeku.
Allkja shtoi se ka shumë njerëz që i takon dhe që tregojnë interes për të bërë vaksinën.
“Në sajë të vaksinës shpëtohen jetët e njerëzve. Mbi 3 milionë njerëz shpëtohen çdo vit në botë nga vaksinat, e kjo nuk është e paktë. Këto janë vaksina, të gjitha vaksinat janë provuar. Këto vaksina, edhe pse disa nuk e shmangin infektimin, sërish ka efekte më të vogla dhe janë shumë të rekomanduara”, tha mjeku.