Gati gjysma e popullsisë e vaksinuar me dozën e parë, mjeku shqiptar: Izraeli duhet të kishte ndihmuar Shqipërinë

Zino Matathaia është një mjek shqiptar që jeton në Izrael. Ai sot ishte në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live” për të folur për procesin e vaksinimit atje, pasi është vendi i parë që ka gati gjysmën e popullsisë të vaksinuar me dozën e parë.
“Janë bërë 100 mijë vaksinime në ditë. Tani më pak. Ka mbi 4 milionë njerëz që kanë marrë dozën e parë dhe mbi 3 milionë që kanë marrë të dyja dozat. Gati gjysma e popullsisë ka marrë dozën e parë. Këtu po bëhet çdo gjë që njerëzit të shkojnë të bëjnë vaksinat. U është bërë thirrja atyre 16 vjeç. Gjithashtu u është bërë thirrje edhe atyre që kanë kaluar Covid-19”, tha mjeku.
Sipas tij, edhe njerëzit izraelitë mendojnë për teoritë konspirative, e mendojnë se është një grip si gjithë të tjerët.
“Janë njerëz që janë të kalitur nga jeta që mendojnë ashtu apo edhe ata që janë fetar. Ata që kanë bërë më pak vaksina janë besimtarët dhe popullsia arabe”, u shpreh Zino.
Ky i fundit ngriti edhe një problem, ku u shpreh se Izraeli ka goxha vaksina që ka ndihmuar edhe vendet armike, por duhet të ndihmojë edhe Shqipërinë.
“Izraeli ka goxha vaksina se si i ka marrë e qysh, ka arsyet e veta. Unë si shqiptar do të ngre një problem. Izraeli po u jep vaksina edhe vendeve që i quan armike, dhe bën shumë mirë. Unë mendoj se Izraeli ka shumë mik Shqipërinë, e nëse kryeministri kërkon ndihmë, nuk është se po kërkon lëmoshë, po kërkon lëmoshë për popullin e tij. Izraeli duhet ta bënte edhe pa i kërkuar Shqipëria. Që nga ambasadori jonë, i Shqipërisë në Izrael. Mbase edhe e ka kërkuar dhe unë nuk e di, por edhe ambasadori izraelit në Shqipëri duhet ta kërkonte. Është akoma në kohë për ta bërë një gjë të tillë”, përfundoi ai.