“Politikanët të vaksinohen të fundit”/ Rama-Bashës: Me atë zinxhir që i kanë vënë në qafë, ia qaj hallin

Kryeministri Edi Rama tha në konferencën me gazetarët se ai është vaksinuar për të dhënë shembullin e besueshmërisë, por shtoi se mendon se politikanët në Shqipëri duhet të vaksinohen të fundit.

“Unë jam vaksinuar sepse kam bërë atë që kanë bërë të gjithë kolegët e mi në Europë dhe botë. Nuk është për të siguruar veten. Unë mendoj që politikanët në Shqipëri duhet të vaksinohen të fundit fare. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë ironizoi edhe premtimin e kryedemokratit Lulzim Basha për vendosjen e një pulle në derën e bizneseve të vogla për të ndaluar inspektorët të hyjnë brenda.

“Kjo pulla në dyqan që do ndalojë inspektorët të hyjnë brenda më kujtohet nga koha e fushatës për bashkinë e Tiranës. Realisht është fantastike që të shohësh se premtohen ose gjërat që janë premtuar më parë.

Vetëm ndryshon kursi i këmbimit ose gjëra që janë bërë. Premtohet TVSH 6% për turizmin. Premtohet taksë e sheshtë si përpara kur taksa është zero. Premtohet energji e rinovueshme kur energjia jonë është 100% e rinovueshme.

Flitet për rritje 15% të turizmit. Kjo pulla te dera që do ndalojë inspektorët është spektakël i gjumësisë. Ne do t’i heqim inspektorët fare sepse ne flasim për fiskalizim të të gjithë sistemit. Flasim për trurin elektronik të shërbimit. Ti flet për pullë te dera. Nuk i vë faj me atë zinxhir që i kanë vënë në qafë dje, ia qaj hallin”, theksoi Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT