Kandidatët e VV/ Albin Kurti nis fushatën në Shqipëri: Shqiptarët kanë nevojë për ndryshime, do bashkëpunoj me Tiranën zyrtare

Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti ka nisur fushatën elektorale në Shqipëri. Pas vizitës që zhvilloi dje në Lezhe, Kurti është spostuar në Tiranë në zyrat e Vetëvendosjes.

“Shqiptarët kanë nevojë për ndryshime edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Shqiptarët e pakënaqur janë shpresa e Shqipërisë dhe shpresa jonë. Me ligje të reja këto probleme do të zgjidhen”, tha Albin Kurti në fjalën e tij.

Nuk dihet nëse Albin Kurti do të ketë takime me krerët e politikës, ndërsa kohët e fundit ka patur një ftohje me PS.

“Unë do të kem marrëdhëniet më të mira që ka patur ndonjë kryeministër me Tiranën zyrtare. Do të takoj në Tiranë edhe drejtues, kam një vizitë tre ditore në Tiranë”, tha Kurti.

Kandidati i VV-së në Tiranë, Boiken Abazi u shpreh se pandemia do jetë në fokus të programit të tij.

“Ne synojmë të jemi zëri i të vërtetës në Kuvendin e Shqipërisë. Ne do të nxjerrim në pah problemet. Angazhimi ynë është për drejtësi. Shqetësimi ynë kryesor është pandemia e cila ka mbërritur në nivele shqetësuese. Me përvojën e mjekëve në Shqipëri e Kosovë kemi në plan të japim pikat tona programore. Shqiptarët janë të lodhur me padrejtësinë. 3 dekada demokraci dhe ende Shqipëria nuk ka hyrë në rrugën e zhvillimit ekonomik. Jemi në fund të renditjes evropiane për vaksinimin. Ne do të angazhohemi që këto tema të jenë prioritet. Të gjithë qytetarët që kemi takuar, nga jugu e fshatrat e thellë të Shqipërisë, në qendër të Tiranës na kanë dëshmuar se ekziston në Shqipëri fryma për VV-në. Iu bëjmë thirrje që frymën ta shndërrojmë në angazhim për rrugën drejt fitores”, tha Abazi. /Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT