5 mars/ 23 vite nga vrasja e 22 anëtarëve të familjes Jashari, e vetmja e mbijetuar është Besarta Jashari

Sot, më 5 mars bëhen 23 vite nga vrasja e 22 anëtarëve të familjes Jashari në Prekaz. E vetmja e mijetuar është Besarta Jashari, e cila në atë kohë isht 11 vjeçe.
Në 5 mars 1998 Njësia Speciale e Policisë serbe sulmoi brutalisht kullën e familjes Jashari dhe vrau të gjithë anëtarët që gjendeshin brenda saj. Aty u vra dhe komandanti legjendar Adem Jashari.
Sulmi serb nuk kurseu as fëmijët, të cilët u ekzekutuan të gjithë. Të gjithë fëmijët në foton e mëposhtme u vranë mizorisht, përveç Besarta Jasharit.
Ky është rrëfimi i Besarta Jasharit, për sulmin, i bërë disa vite më parë:
“Një ditë para betejës së lavdishme, ishte çdo gjë zakonshme në jetën time… nuk e dija që ajo natë do të ndryshonte çdo gjë – ndoshta ishte më mire, sepse në vend se ta përqafoja përfundimisht nënën Feride e babën Hamëz dhe krejt familjarët e mi, unë si zakonisht me fëmijët e familjes shkuam në dhomën e gjumit për të fjetur si çdo natë tjetër.
Nuk e dija…
Sinqerisht, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që do të luaja me Blerinën e vogël, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që nëna Feride do më puthte ballin para gjumit.
Nuk e dija, se isha fëmijë.”