Vaksina e AstraZeneca do përdoret për personat mbi 65 vjeç në Shqipëri/ Specialistja e ISHP-së sqaron gjithçka

Që prej 11 janarit Shqipëria vazhdon procesin e vaksinimit. Tashmë, vaksinimi nuk po kryhet vetëm në Tiranë në ambientet e stadiumit” Air Albania”, por ai po vijon edhe në rrethe të tjera të vendit, si Durrës, Shkodër, Fier, Korçë, Elbasan, Gjirokastër etj.

Ashtu siç u deklarua, stafet mjekësore kanë qenë prioritare në këtë proces, por krahas tyre paralelisht në fund të muajit shkurt nisi edhe vaksinimi mbi moshat 80-90 vjeç, kryesisht të moshuar që jetojnë në qendrat rezidenciale, personalitete të vendit, por edhe të moshuar që janë zgjedhur nga mjekët e familjes.

Deri tani, të gjithë ata që janë vaksinuar, kanë marrë vaksinën e kompanisë Pfizer/ Biontech, ndërkohë që në ditët e ardhshme pritet që të vijnë dhe dozat e para nga kompania Astrazeneca, për të cilat ka një plan përdorimi edhe më të gjerë në popullatë.

E ftuar në “Wake Up”, shefja e Sektorit të Vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj tregoi si po shkon ky proces.

“Ka përfunduar vaksinimi i personelit shëndetësor prioritar dhe po vazhdohet me pjesën tjetër derisa të plotësohet i gjithë personeli shëndetësor. Me përfundimin e spitaleve shtetërore, ne kemi filluar gradualisht edhe me vaksinimin e stafit të spitaleve private.

Strategjia e vaksinimit është menduar mirë dhe për këtë është mbledhur një grup i madh ekspertësh që kanë punuar”, tha aji.

Për sa i përket përdorimit të vaksinës së AstraZeneca për personat mbi 65 vjeç, specialistja theksoi: “Gjermania pati një diskutim të tillë, por së fundmi e ka tërhequr këtë fakt. E tërhoqi faktin se nuk do të vaksinonte mbi 65 vjeç. OBSH dha rekomandime të qarta pasi vlerësoi të gjitha raportimet që janë bërë nga kompania dhe është thjesht që nuk është provuar shumë në mosha të mëdha, por aty ku është provuar ka rezultuar se është efikase.

Edhe te ne diskutohet goxha, kemi një komitet këshillimor që mblidhemi dhe shkëmbejmë informacione të shumta. Është diskutuar shumë edhe kjo pjesë e vaksinës AstraZeneca dhe nuk mendoj se do të ketë kufizim në moshë. Është e rëndësishme që ne do të na vijë kjo vaksinë, do të na vijë në sasi të mëdha në mars dhe prill”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT