Kullat e Jasharëve pranë shembjes, reagon Bekim Jashari

Prekazi, tashmë është kthyer në një vend të shenjtë për shqiptarët.
Vizitorë të shumtë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë vende të tjera të botës, vijnë për çdo vit në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në nderim të të rënëve.
Sakrifica e Jasharëve është e vulosur edhe në Kullat ku ata zhvilluan qëndresën ndaj forcave serbe me 5, 6, 7 mars të vitit 1998. Gjurmët e artilerisë se rëndë ndodhen ende aty, në çdo vend shihen gjurmë tjera dhe mbetjet e të gjitha mjeteve që është luftuar para 23 vjetësh.
Por, Kullat e Jasharëve qëndrojnë ende të forta dhe në këmbë edhe pas 23 vjetësh ani pse janë të shkatërruara dhe në gjendje të rëndë.
Ndonëse cilësohen shumë të çmuara nga të gjithë vizitorët, në këto kulla nuk është bërë asnjëherë investim që të ruhen. Mjafton t’iu hedhësh një sy dhe e sheh se gjendja e Kullave nuk është e mirë, as nga jashtë e as nga brenda objektit.
Për shkak se kullat rrezikojnë të shemben në çdo moment, vizitorëve nuk u lejohet më të hyjnë brenda në Kulla.
Investimi në kulla ka munguar që nga pas lufta. Familja Jashari ia ka dorëzuar Kullat në menaxhim shtetit.
“Tani për tani është kështu dhe nuk e di të them të drejtën pse po ka kaq zvarritje apo neglizhencë në këtë drejtim që nuk po zgjidhet ende kompania konsulente, e që në këtë rast është përgjegjës kabineti i kryeministrit gjegjësisht prokurimi i qeverise”, ka thënë Bekim Jashari.
Jashari thotë se Kullat e Jasharëve kanë kaluar tash e 21 vjet në përkujdesje të shtetit, e cila nuk e mohon se ka munguar.
“Qeveria e ka marrë përsipër që nga korriku i vitit 1999, do të thotë nën mbikëqyrje. Po u bë mirë lavdërohen, po u bë keq do shahen ata. Ne si familje nuk jemi përgjegjës, tash nuk janë tonat, me një fjalë janë të shtetit”, ka thënë ai.
Të dy qeveritë, ajo e Ramush Haradinajt, apo e Avdullah Hotit, ai thotë se dështuan që të investojnë në ruajtjen e kullave.
“Në të dy qeveritë, ajo Haradinaj si dhe Hoti unë jam pjesëmarrës në përzgjedhjen e kompanisë konsulente do të thotë kompani ndërkombëtare, e cila do të na ndihmonte në përgatitjen e fazës së dytë që do të përzgjidhet prapë një kompani ndërkombëtare, për projektin dhe konservimin e këtyre objekteve.