Mësuesi i popullit Thoma Papapano, model atdhetarizmi

Nga Sevo Tarifa

“Pa folur e shkruar mirë shqipen, nuk je shqiptar e atdhetar” Thoma Papapano

Ai ngjitej asaj të përpjete të rrugës së Varroshit gjithë gëzim drejt gjimnazit “Asim Zeneli” dhe zbriste prej andej sikur të ishte djalë i ri. Edhe pse i moshuar dhe quhej “basho Thoma”, përshëndetej me kalimtarë dhe me sjelljen e tij të kulturuar i bënte për vete. Ky ishte profesori i mirënjohur Thoma Papapano. Figurë e një patrioti dhe mësuesi model.

1

Ishte njeri i veçantë. Tërhiqte vëmendjen paraqitja e jashtme e tij: me veshje gjithë gusto, me fytyrë të ëmbël, me syza, i pastër, që rruhej dy herë ditën, me lëkurë disi të bardhë të faqeve. Burrë i pashëm. Vetë pamja e jashtme e tij të impononte respekt. Po kur njiheshe me të, kur hyje në botën e brendshme të tij, kur shihje buzëqeshjen, kur dëgjoje fjalën  mjaltë, dukej bukuria e shpirtit të tij, korrektesa e tij, kultura e tij.

Besoj se nuk kshte njeri nga bashkëkohësit  gjirokastritë dhe më gjerë që të mos e dinte kush është “basho Thomai”. E njihnin jo vetëm mësuesit, nxënësit, qytetarët, por edhe fëmijët. Këta filiza të rinj, do mbaronin shkollën 7-vjeçare dhe profesori do t’i priste në gjimnazin “Asim Zeneli”. Dhe kur e shihnin në rrugë, gëzonin, e nderonin. Nëse ndonjëri do kishte të ndezur cigarin, do ta hidhte! Nëse do të kishte duart në xhepa, do t’i hiqte! Ai kishte një autoritet absolut, të cilin e meritonte, e pati fituar me veprën e tij, me punën, aftësitëtë dhe sjelljet e tij.

2

Thoma Papapano

Papapanoja ishte patriot. Figurë e shquar e arsimit kombëtar, autor i teksteve mësimore, Mësues i Popullit. Ka shërbyer drejtor shkolle. Është ndër mësuesit e parë të shkollës “Liria” 1908, e para shkollë legale në gjuhën shqipe në rrethin e Gjirokastrës. Pjesëmarrës si përfaqësues i Gjirokasrës në Kongresin e Elbasanit 1909, në Kongresin e Arsimit Kombëtar 1924 si dhe në “Bashkimin e shoqërive” 1921. Më 1913, i ngarkuar nga Qeveria e Vlorës e Ismail Qemalit u dërgua në disa kryeqytete të Europës për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë së Jugut. Ishte një nga drejtuesit e Shoqërisë “Vëllazëria” 1919, sekrtetar i Klubit “Drita” të Gjirokastrës 1908. Më 1919 botoi në Vlorë “Shkëndilat” e para dhe tekste me përmbajtje patriotike.

Edhe pse dinte shumë, ishte modest. Në gojë kishte përherë Çerçiz e Bajo Topullin, Avni Rustemin, Koto Hoxhin e Çajupin, Hasan Xhikun e të tjerë. Fliste për betejat e zhvilluara nga luftëtarë e patriotë, deri te poeti Ramiz Harxhi për luftën në Qafën e Skërficës kundër andartëve grekë.

3

Ndjenja e bukur e patriotizmit të Papapanos shfaqej tek ai në kuptimin e gjerë të fjalës, jo vetëm në dashurinë ndaj atdheut, popullit dhe traditat e së kaluaës, por sidomos ndaj gjuhës shqipe. Ai ka bërë shumë për hapjen e shkollave shqip. Kuçi i Kurveleshit s’kishte shkollë, në vitin 1923,  përpiqej të ndihmonte për hapjen e saj dhe për mësues rekomandonte Mustafa Luçin. Kështu vepronte dhe për shkolla të tjera.

Kur u hap Liceu i Gjirokastrës dhe disa nxënës të varfër protestuan se nuk u pranuan, për shkak se u preferuan nxënës nga shtresa të pasura, i shkruan prefektit. Asnjë përgjigje s’morrën. Kërkuan takim me inspektorin e seksionit të arsimit, Papapano, i cili i priti me gjithë dëshirë. Dhe gazeta “Liria” e kohës shkroi: “Në çast, fytyra e rëndë e zotit Thoma ndriti, e çara e faqes, e prerë si nga ndonjë shpatë kaloriske, u thellua më shumë dhe gjithë gas ai iu përgjigj nxënësve: “Keni të drejtë, e shoh se kini dëshirë, gas e vullnet për mësim më të lartë. Do të bisedoj unë për këtë punë dhe do t’ju lajmëroj nesër”. Të nesërmen nxënësit shkuan në Lice, edhe pse prefekti nuk ishte dakord.

Kishte jo pak kërkesa për hapjen e shkollave dhe për bazën materiale të tyre. Meqë prefekti nuk e çante kokën, me këto punë merrej basho Thomai. Në një letër që i drejtohej atij, ndër të tjera shkruhet: “Është e nevojshme të botohen dispenca, komisioni i dispencave mund ta ketë qendrën edhe pranë Normales së Elbasanit, që të jetë në kontakt të ngushtë e në marrëveshje të plotë me profesorët e saj për sa i përket terminologjisë, konstruktit dhe fjalëve të reja”. Me kërkesa të tilla basho Thomai  merrej seriozisht, kurse “autoritetet e ngarkuara i shikonin ato me sy të shtrëmbër”.

Gjuha shqip zhvillohej me aksione konkrtete. Mësuesit Papapano i dërgonte një letër patrioti Ibrahim Shyti nga Vlora, ku ndër të tjera i shkruan: “Të kam shkruar ty dhe Halim Xhelos dhe për kujtim u dërgova nga një abetare të dyve. Në s’i keni marrë, nuk është faji im. Ia ngarkojmë fajin vitit 1919. I mallkuar vit. Na mbushi vrer”. Ai mund të bënte lëshime, sipas rasteve e arsyetimeve, por në gjuhën amtare ishte rigoroz. Këtë lëndë e jepte gjithë jetën dhe e kishte me pasion të madh. Për gjuhën  studionte gjithnjë. Bënte vëzhgime. Gjente pozitiven dhe deformimet. Të mirën e përgjithësonte, me të shtrëmbrën nuk pajtohej. Thoshte se “në Zagorie e flasim më mirë gjuhën se në Lunxhëri”.

Një ditë më takoi dhe më tregonte se qytetarë, madje dhe mësues, bëjnë gabime në gjuhën shqip. Kishte mbledhur disa fjalë dhe do t’ia dërgonte me letër ministrit të Arsimit, në atë kohë Thoma Deljana. Në atë letër shkruante gabimet që vihen re në gjuhën e mësuesve, në organe të shtypit etj. Meqë unë  merresha me shkollat në linjë partie, donte dhe mendimin tim nëse bën mirë apo bën keq po t’i shkruante ministrit. Në atë letër vënte në dukje, kundërshtonte dhe arsyetonte: kur gruaja është ambasadore, pse duhet thënë “ambasadoreshë?”. Kur një grua është drejtore e shkollës, pse duhet thënë ose shkruar “drejtoreshë”?. Ajo që është doktore, pse duhet shqiptuar “doktoreshë?”. E kështu me radhë. Ishte i shqetësuar për gjuhën dhe fliste me pasion. Kërkonte me këmbëngulje që gabime gjuhësore të mos përsëriten. “Pa folur e shkruar mirë shqipen,- thoshte ai, nuk je shqiptar e atdhetar. Ishin të tillë Naimi e Çajupi pasi edhe shqipen dhe e flisnin mirë dhe saktë”.

Për përgatitjen dhe kualifikimin e mësuesve u hap në Labovën e Madhe një kurs tremujor me arsimtarë gjirokastritë, tepelenas e vlonjatë, me kujdesinn dhe ndrejtimin e Thoma Papapanos, që shquhej edhe për organizimin e punës të këtij kursi. Me preokupimin e tij ishte përgatitur salla e ngrënies, e fjetjes, laheshin e lyheshin dhomat e mësimit dy dhoma të mëdha të fshatit. Thoma Papapano merrte në shërbim të shkollës edhe një tipograf, merrte vajza me arsim të paktë, me mendim që këto të ngrihen nga ana profesionale me anë kursesh. Profesori ngrinte me guxim probleme për shkollat. Në një relacion ai tërheq vëmendjen për të “gjithë çunat dhe çupat e katundeve dhe që mësuesi të ketë mendjen të mos ndahet nga shkolla, përveç ditëve të pushimit”.

4

Thoma Papano ishte profesori me famë në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Nxënës e pedagogë që kanë qenë me të kanë shumë për të treguar për figurën e tij. Detajet për karakterin e shëndoshë të tij janë të panumërtta dhe cilësore. Ai ishte shumë i lidhur me rininë e shkollës. Ishte mik i mirë i saj si në shkollën “Drita” ku qe drejtor, dhe në gjimnaz. Kur diskutonte me zjarr rinia, ai prekej deri me lot. Kështu ndodhi kur të rinjve e të rejave të gjimnazit iu bë thirrje nga Komieti i Rinisë i rrethit që pushimet verore t’i kryejnë duke punuar në hekurudhë dhe përgjigjja ishte flakë për flakë “Jemi gati- jemi gati”, profesori u prek, u frymëzua dhe tha: “Shkruamni dhe mua në listë, se u bëra i ri”! Ai nuk ndahej nga rinia. Ishte tepër njerëzor. Hynte në hallet e nxënësve, shkonte në vend për të parë kushtet e tyre në konvikt. Priste në zyrë dhe respktonte njerëzit.

Ishte i gjerë në mendime dhe tepër tolerant. Kurrë nuk fliste me inat, me zë të lartë, nuk shante, nuk nxitohej. ishte kundër dhunës. Një pedagog u kritikua rëndë para shkollës për ndëshike ndaj nxënësve. Këta u hakmorrën iu përgjigjën atij me dhunë. Basho Thomai, tha: “Me këta nxënës do merrem unë”. Dhe të nesërmen u pa në shëtitje me ta. U kishte thënë: “Po sikur t’ju shajnë juve nënat, do t’ju vinte mirë?. “Jo,- i thnanë at”. Dhe kërkuan falje.

Si profesor i gjuhës që ishte, nuk rrinte pa u kujdesur edhe për rrethin letrar të shkollës. Lexonte krijimet, jepte mendime e këshilla, interesohej për gazetën e murit. Shpesh shkonte edhe në aksione të rinisë, në ekskursione e në pikniqe: në Dervician, në fushën e Drinos, në mbrmjet e vallëzimit. Te rinia ai gjente forca, entuziazëm, gjallëri, optimizëm, gëzim.

Por kulmi i gëzimit të tij ishte kur i shkoi në shtëpi për një vizitë Enver Hoxha, që i kishte premtuar më parë. Ishte pastruar e lyer rrugica që çonte te shtëpia, oborri e dhomat. Basho Thomait dhe gjithë familjes u ndritnin sytë. Xhexhe Llopi dhe Frosina kishin bërë zakonin e mikpritjes, me asortimente ushqimore gjirokastriçe. Takim i përzemërt. Kujtime e mbresa me humor nga gimnazi. Në një çast i zoti i shtëpisë tha: “Atëherë unë isha proëesor, ti nxënës; tani kemi ndrruar rolet, ti profesor, unë nxënës”! Të qeshua…

Famlja  përcolli udhëheqësin. Papapanoja dridhej nga gëzimi i kësaj vizite dhe më kapi mua nga krah, duke më ftuar për darkë nga gëzimi. Nuk ia prishja dot për respekitin që kisha. E falënderova dhe qëndrova. Por në atë darkë pashë një çudi, që e kisha dëgjuar me kohë: basho Thomai hëngri vetëm kos! E pyeta: si kështu? Miku gjellë, i zoti i shtëpisë kos?! Ai u përgjigj me buzëqeshje më tha:” “Çdo mbrëmje unë ha vetëm kos. Djetën nuk e prish. Miqve dhe shokëve ua bëj qejfn, por gjellë në darkë nuk ha asnjëherë”. Ai kujdesej shumë për shëndetin e tij dhe të të tjerëve. Shembull në çdo drejtim. Kërkues ndaj vetes. I çiltër me njerëzit. Me libra në duar. Shokë me mësues e qytetarë të tjerë. Kurdoherë fytyrëqeshur Flokëbardhë e zemërbardhë. Njeri i mirësive.

***

Kur u nda nga jeta Thoma Papapano ishte vështirë për të gjetur njeriun që do të fliste në varrimin e tij. U mendua që ky të ishte mësuesi Sokrat Kutra, moshatar me të, që e donin shumë njeri-tjetrin dhe kishin kujtime të ndërsjellta. Por ai tha: nuk mundem, kam emocione. Dhe në sytë e tij u panë lot…

E kujtojmë gjithnjë me nderim profesorin e dëgjuar, Mësuesin e Popullt, Thoma Papapano!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT