Një vit nga pandemia e Covid, shqiptarët me sy te vaksina

Një vit më parë pandemia e Covid goditi Shqipërinë, duke e futur në të panjohura e kësaj flame botërore që ende e kësaj ditë vijon të marrë viktima.
Më 11 mars të vitit të shkuar do të shënohej edhe viktima e parë e Covid në vendin tonë, një grua 73-vjeçare nga Durrësi. Që nga ajo ditë deri më sot e kanë humbur betejën me koronavirusit, sipas shifrave zyrtare, 1956 shtetas, duke iu afruar shifrës së 2 mijë fataliteve, e kjo për shkak se situata e pandemisë është tejet e rëndë.
Marsi i këtij viti ka nisur i frikshëm pasi në javët e para kemi 160 vdekje nga koronavirusit dhe se çdo ditë fatalitetet raportohen në numra dyshifrore.
Ministria ka nisur të zbatojë një skenar të ri për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, duke i kthyer prej disa prej spitaleve rajonale për të kuruar pacientët e prekur me Covid.
Sot janë 35737 raste aktive dhe 606 persona janë në trajtim spitalor, të tjerët kurohen në shtëpi. Viktima të Covid përfshihen edhe mosha të reja, si dhe në radhët e bluzave të bardha, heronjtë e vijës së parë të kësaj lufte.
Situata e infektimeve mbetet e lartë, por për momentin nuk ka ndonjë masë të fortë izolimi, pasi kjo duket se ndikohet nga fakti që Shqipëria është e përfshirë nga ethet zgjedhore.
Mposhtja e kësaj flame ka si armë të vetme vaksinën anti Covid, pasi vetë shqiptarët nuk po kujdesen aq sa duhet për t’u mbrojtur. Ministrja Manastirliu në një mesazh të saj shprehet se drita në fund të tunelit po qartësohet, duke e lidhur me vaksinën si shpëtimin e vetëm kundër kësaj flame botërore.
“Si sot një vit më parë, nisi beteja në vijën e parë të frontit e stafeve tona mjekësore në përballje me COVID19, në shërbim të jetës! Me gjithë vështirësitë, kurrë nuk u dorëzuan në këtë vit sfidues të pandemisë, që njerëzimi e ndesh një herë në shekull. T’i ndihmojmë të gjithë bashkë, duke mos e ulur vigjilencën, me durim e sakrificë, ta çojmë deri në fund luftën me armikun e padukshëm. Sepse drita në fund të tunelit sa vjen e qartësohet, me intensifikimin e vaksinimit anti COVID”, shkruan Manastirliu.
Deri ditën e djeshme ministria njoftonte se janë kryer 20,275 vaksinime. Për shkak të numrit të pakët vaksinat në vendin tonë po shpërndahen me pikatore, e kjo për shkak të vonesave të BE-së dhe të mos aplikimit në kohë të programit Covax, ku Shqipëria pretendon të marrë mbi 1 milionë vaksina. Qeveria ka premtuar që brenda qershorit të nisë procesin e vaksinimit masiv, deri atëherë shqiptarët mbesin me shpresën që ilaçi anti Covid t’i shpëtojë jo vetëm jetët njerëzore, por edhe të çlirojë ekonominë shqiptare dhe të shpëtojë sezonin turistik.
Gazeta Shqip