Nishani dëboi çiftin egjiptian në vitin 2008, Gjykata e Lartë rihap çështjen

Gjykata e Lartë, përmes një vendimi të marrë më 1 mars, ka rihapur çështjen e një çifti egjiptian, i cili u dëbua nga Shqipëria në vitin 2008, vendim i marrë nga Ministria e Brendshme kur drejtohej nga Bujar Nishani.

Dëbimi i Hanem Mohamed e Abdelaziz Ibrahim është një doje e cila do të rigjykohet në Apelin Administrativ.

Çifti i bashkëshortëve egjiptianë hynë në territorin e Shqipërisë në vitin 1995. Paditësit janë prindër të katër fëmijëve, të cilët në kohën e gjykimit të çështjes kanë qenë të mitur. Fëmija më i vogël ka lindur në Shqipëri dhe rezulton se ka shtetësinë shqiptare.

Ata kanë kërkuar leje qëndrimi në vitin 2008 dhe u është refuzuar me urdhër të Bujar Nishanit. Çështja shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës duke konstatuar cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i mosgjykimit të çështjes brenda afatit të arsyeshëm.

Në vendimin e para 9 ditëve, Gjykata e Lartë vendosi se Gjykata Administrative e Apelit, tashmë si një gjykatë kompetente,  gjatë rigjykimit të kësaj çështje duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, duke patur në konsideratë edhe veçantitë që paraqet gjykimi administrativ. Në këtë kuptim, gjykata është e detyruar të vlerësojë zbatimin e parimeve të përgjithshme mbi barrën e provës dhe mosparaqitjen e provave nga organi publik në procesin gjyqësor administrativ, në zbatim të neneve 3, 35 dhe 26/3 të ligjit nr. 49/2012.

Pjesw nga vendimi

Nisur nga arsyetimi i mësipërm, por edhe në reflektim të jurisprudencës së konsoliduar të GJEDNJ-së, Kolegji konkludon se në gjykimin e kësaj çështje, Gjykata e Apelit nuk ka realizuar një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14 i KPC), duke mos i dhënë përgjigje pretendimeve të palëve në proces, si dhe, duke mos respektuar standardin e mbrojtjes efektive dhe të arsyetimit të vendimit gjyqësor.

45. Kolegji rithekson se Gjykata Administrative e Apelit, tashmë si një gjykatë kompetente,  gjatë rigjykimit të kësaj çështje duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, duke patur në konsideratë edhe veçantitë që paraqet gjykimi administrativ. Në këtë kuptim, gjykata është e detyruar të vlerësojë zbatimin e parimeve të përgjithshme mbi barrën e provës dhe mosparaqitjen e provave nga organi publik në procesin gjyqësor administrativ, në zbatim të neneve 3, 35 dhe 26/3 të ligjit nr. 49/2012.

 

PËR KËTO ARSYE,
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63, shkronja “c” të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,

VENDOSI:
Prishjen e vendimit nr. 971, datë 20.07.2009, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë

Padia dhe historiku

I.  Rrethanat e çështjes

1. Padia e z. Abdelaziz Ibrahim është paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 31.03.2008. Padia e znj. Hanëm Mohamed është paraqitur veçmas, më datë 03.04.2008. Çështjet e shortuara para gjyqtarëve të ndryshëm janë bashkuar në një të vetme, për arsye të lidhjes që kanë mes tyre.

2. Nga fashikulli i gjykimit rezulton se palët paditëse janë bashkëshortë dhe janë shtetas egjiptianë. Ata kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë në vitin 1995. Paditësit janë prindër të katër fëmijëve, të cilët në kohën e gjykimit të çështjes kanë qenë të mitur. Fëmija më i vogël ka lindur në Shqipëri dhe rezulton se ka shtetësinë shqiptare. Palët paditëse kanë punuar si drejtues pranë dy organizatave jofitimprurëse, konkretisht “Komiteti i Botës Islame” dhe “Mirësia”. Objekti i shoqatave ka qenë shpërndarja e ndihmave ekonomike, organizimi i kurseve dhe aktiviteteve edukative për jetimët dhe ndërtimin e objekteve të kultit dhe xhamive. Palët paditëse kanë pasur leje qëndrimi të rregullt dhe të rinovuar, sipas procedurave ligjore respektive.

3. Leja e qëndrimit e kërkuar prej tyre në vitin 2008 nuk është miratuar. Me Urdhrin e ministrit të Brendshëm nr. 960/1, datë 15.03.2008 është urdhëruar largimi nga territori i Republikës së Shqipërisë së palëve paditëse, si persona të padëshiruar. Urdhri u është komunikuar palëve paditëse me shkresën nr. 960/1 Prot., datë 15.03.2008 dhe si bazë ligjore mban nenin 46, pika 4 të ligjit nr. 8492, datë 26.05.1999 “Për të huajt”. Paditësit kanë paraqitur disa herë kërkesa, për të ndaluar largimin nga territori i Republikës së Shqipërisë, pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministrit të Brendshëm, Kryeministrit, Presidentit të Republikës, por nuk kanë marrë përgjigje. Në urdhër parashikohet detyrimi për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë brenda datës 31.03.2008 dhe detyrimi i tyre që të mos futen në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri më datë 30.03.2018.

4. Urdhri i largimit për palët paditëse ka dalë pas marrjes së informacionit dhe propozimit me shkrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Departamentit për Kufirin dhe Migracionit me nr. 1312 Prot., datë 07.03.2008. Shkak për paraqitjen e këtij propozimi ka qenë informacioni i ardhur me shkresën nr. 465/1 Prot., datë 28.02.2008 nga Shërbimit Informativ Shtetëror, ku shprehet mos dakordësia për pajisjen me leje qëndrimi në territorin e Republikës së Shqipërisë për të dy paditësit.

Shkresa e bërë nga Shërbimi Informativ Shtetëror nuk është administruar si provë në gjykim dhe sipas pretendimit të paditësve, nuk rezulton i shprehur shkaku se pse ky institucion nuk ka dhënë pëlqimin për rinovimin e lejes së qëndrimit. Shkresa që citon shkresën e Shërbimit Informativ Shtetëror vetëm referon lidhur me përmbajtjen e saj pjesërisht dhe konkretisht vetëm në pjesën e konkluzioneve. Kjo procedurë e shkëmbimit të informacioneve ndërmjet institucioneve është bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 439, datë 04.08.2000 “Për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”.

5. Nga shkresat në fashikull nuk del se cili është shkaku i largimit të paditësve nga territori i Republikës së Shqipërisë, por nga to konkludohet vetëm se ata duhet të largohen. Nga fashikulli i gjykimit nuk ka të dhëna nëse Shërbimi Informativ Shtetëror, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Drejtoria për Kufirin dhe Migracionin ose Ministri i Brendshëm të kenë kërkuar nisjen e hetimit ose procedimin penal ndaj palëve paditëse. Në dosje nuk ka të dhëna nëse nga autoritetet shtetërore është kërkuar të merren apo jo masa për dy organizatat jofitimprurëse, të cilat administroheshin nga palët paditëse.

6. Palët paditëse nuk kanë qenë dakord me urdhrin për të mosrinovuar lejet e qëndrimit dhe për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe kanë paraqitur padi në gjykatë.

7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 7120, datë 25.07.2008, ka vendosur: “- Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë. – Anullimin e aktit administrativ të Urdhrit të Ministrit të Brendshëm nr. 437 Prot., datë 11.03.2008, që bën fjalë “Për largimin nga territori i R.Sh të dy shtetasve të huaj”, si dhe shkresën nr. 960/1 prot., datë 15.03.2008 e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Drejtoria Rajonale e Migracionit. Rrëzimin e padisë për pjesët e tjera të objektit”.

8. Gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se veprimet e palëve të paditura janë në kundërshtim me ligjin, pasi ato nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për verifikimin e kushteve dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve të mitur, duke pasur parasysh edhe rrethanat e posaçme familjare të palëve paditëse. Gjykata ka arsyetuar se organet shtetërore nuk kanë plotësuar detyrimin e nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative për të arsyetuar aktin administrativ që ka cenuar të drejtat dhe liritë themelore të palëve paditëse dhe fëmijëve të mitur, pasi nuk ka asnjë shkak të ligjshëm të individualizuar dhe të provuar për të urdhëruar largimin e paditësve nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata ka vlerësuar se është shkelur neni 39, pika 1 i Kushtetutës, pasi duke urdhëruar largimin e prindërve vihet në rrezik familja dhe përkujdesja e fëmijës së mitur që nënkupton largimin indirekt edhe të fëmijës së mitur me shtetësi shqiptare nga territori i Republikës së Shqipërisë. Gjykata e shkallës së parë ka sjellë në vëmendje nenin 1 të Protokollit nr. 7 të KEDNJ dhe nenin 3 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ, sepse është urdhëruar indirekt dëbimi i shtetasit shqiptar nga territori i Republikës së Shqipërisë, si dhe dëbimi i shtetasve të huaj pa arsyetim dhe pa shkak të ligjshëm.

9. Kundër vendimit ka ushtruar ankim pala e paditur, Ministria e Brendshme. Në ankim është kërkuar ndryshimi i vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe rrëzimi i padisë, si i pabazuar në ligj dhe në prova. Në ankim është pretenduar se rinovimi i lejes së qëndrimit dhe dhënia e kësaj leje, qoftë për 1 vit apo për 5 vjet, është vendim diskrecional i ministrit të Brendshëm dhe në rastin objekt gjykimi kjo kompetencë është realizuar sipas ligjit. Në apel pretendohet se urdhri i ministrit të Brendshëm është marrë pas propozimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror që të mos rinovohet leja e qëndrimit për palët paditëse.

10. Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë ka ushtruar apel pala e paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Pala e paditur ka pretenduar se gjykata nuk e ka shqyrtuar çështjen brenda afatit 45 ditor, sikurse parashikohet nga ligji për të huajt. Në apel pretendohet se ministri i Brendshëm e ka marrë vendimin e dëbimit, pasi Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka dhënë pëlqimin për të. Gjithashtu, sipas palës së paditur, gjykata ka cenuar të drejtën e saj për të realizuar një mbrojtje efektive dhe ka kapërcyer kufijtë e padisë e të objektit të gjykimit, pasi objekt i këtij gjykimi nuk kanë qenë dëbimi i fëmijëve por dëbimi i paditësave. Pala e paditur në apel pretendon se në këtë rast nuk jemi para dëbimit por para largimit, pasi urdhri i ministrit të Brendshëm nuk ka urdhëruar dëbimin, por largimin nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT