Nesër mbërrijnë në Shqipëri 38 400 doza, Italia ndalon përdorimin e vaksinës AstraZeneca

Mediat e huaja raportojnë se Agjencia Italiane e Barnave (AIFA) ka ndaluar në të gjithë vendin përdorimin e një serie të vaksinës AstraZeneca kundër covid-19, për shkak të “rasteve të rënda të efekteve anësore” pas injektimit të vaksinës.
AIFA njoftoi se ndalimi kap grupin ABV2856, duke theksuar se ajo mund të marrë në konsideratë masa shtesë, nëse është e nevojshme, në koordinim me Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA).
Gjithsesi, agjencia italiane theksoi se aktualisht nuk ka asnjë lidhje të provuar midis injektimit të vaksinës dhe efekteve anësore të saj.
Vaksina e koronavirusit AstraZeneca përdoret për të parandaluar infeksionin COVID-19 tek personat e moshës mbi 18-vjeçare. Ajo është krijuar për të përgatitur sistemin imunitar për të identifikuar dhe për të luftuar koronavirusin SARS-CoV-2 që shkakton COVID-19.
Teknologjia vektoriale virale e përdorur për këtë vaksinë tashmë është testuar me sukses dhe është përdorur në parandalimin e sëmundjeve të tjera në disa vende.
Ndërsa disa vende po shfaqin hezitim me vaksinën e AstraZeneca, nesër në Shqipëri pritet të mbërrijnë 38 400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se pas mbërritjes së tyre do nisë menjëherë vaksinimi i mësuesve. /Gazeta SHQIP