Mban vendin e parë në listën e Tiranës, Luljeta Bozo: As kam qenë, e as nuk do bëhem anëtare e Partisë Socialiste. E vërteta për PPSH dhe pse e kam teserën ende në shtëpi

Luljeta Bozo deklaron se nuk ka qenë anëtare e Partisë Socialiste dhe nuk do të bëhet asnjëherë anëtare e kësaj partie.

Kandidatja e parë e listës së PS në qarkun e Tiranës deklaroi mbrëmë në emisionin “Dekalog” në RTSH 24 se pavarësisht se do jetë pjesë e grupit parlamentar të kësaj partie, ajo nuk do bëhet anëtare dhe nuk do bëjë jetë partie.

“Unë nuk kam pranuar të bëhem pjesë e parlamentit për të qenë edhe pjesë e Partisë Socialiste. Nuk kam qenë dhe nuk do jem anëtare e kësaj partie”, tha Bozo për gazetarin Qafoku.

Ndërkohë ajo shtoi: “Unë e përkrah me gjithë forcë Partinë Socialiste po përse të jem anëtare”?

Bozo tregoi se ka qenë anëtare e Partisë së Punës së Shqipërisë që nga vitit 1972 deri në vitin 1991 kur kjo forcë politike pushoi së funksionuari duke ndërruar emrin në Parti Socialiste por Bozo nuk u anëtarësua në partinë e re që doli prej saj.

Sapo kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama bëri publikë lajmin se Luljeta Bozo do ishte e para në listën e Tiranës si kandidate për deputete e kësj partie, në rrjetet sociale dhe në media dolën jo pak lajme lidhur me të kaluarën e saj.

Një prej tyre ishte se Bozo nuk kisht pranuar që PPSh të ndërronte emrin në Parti Socialiste në qershor të vitit 1991.

Por këtë lajm e hodhi mbrëmë poshtë Bozo në një sqarim që bëri enkas për këtë.

“Unë nuk kam Facebook dhe Instagram dhe nuk i kam lexuar këto lajme. Por më kanë thënë që është shkruar kështu. Deklaroj se unë nuk kam qenë fare në mbledhjen që bëhet fjalë as në kongres dhe si e tillë nuk mund të jepja as mendim. Ky lajm nuk është fare i vërtetë”, tha Bozo.

Ajo sqaroi se ka qenë anëtare e PPSH që nga viti 1972 deri në vitin 1991 por me shuarjen e aktivitetit të PPSh nuk është bërë më pjesë e asnjë partie dhe as e PS.

Pyetjes së gazetarit nëse e kishte dorëzuar teserën e PPSH-së, Bozo tha: “Nuk e kam dorëzuar. E kam në shtëpi. Nuk kisha çfarë t’i dorëzoja. PPSH u shua dhe bashkë me të u shua edhe tesera ime”.

Bozo u pyet edhe nëse do pranonte të njëjtën ftesë nëse atë do t’ia kishte bërë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Përgjigjia e Bozos ishte: Basha nuk më ftoi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT