Brataj: Dyshoj se varianti britanik në Shqipëri ka hyrë që në fund të dhjetorit

Në Shqipëri qarkullon varianti britanik i COVID me përhapje më të madhe, e cila është reflektuar edhe në shifrat e larta të rasteve të reja në 24 orë.
Lajmi u konfirmua sot nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Kreu i Urgjencës kombëtare Skënder Brataj i ftuar në Report Tv ka deklaruar se dyshon se varianti britanik ka ardhur në vendin tonë që në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit.
Këtë Brataj e argumenton me rritjen e rasteve ditore, por edhe me faktin se në atëherë lëvizja e qytetarëve ka qenë e lirë dhe se ka pasur shumë fluks për shkak të festave.
“Mendoj se varianti i ri ka ardhur që në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit. Shpejtësia e rritjes së të infektuarve na e jep këtë dyshim. Deri në dhjetor masat që u morën ka qenë e lirë lëvizja e qytetarëve në Britani të madhe. Në periudhën e festave ka pasur më shumë lëvizje”, tha Brataj.