Nisi sot vaksinimi i mësuesve/ Manastirliu: Me AstraZeneca do vaksinojmë edhe ata +80 vjeç

Nisi sot vaksinimi i mësuesve me vaksinat AstraZeneca, të siguruara nga financimi i qeverisë, nëpërmjet mekanizmit COVAX, të cilat mbërritën mbrëmë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin në shkollën “4 Dëshmorët”, ku filloi procesi i vaksinimit për 250 mësues, ndërkohë që vaksinimi për mësuesit dhe pedagogët do të shtrihet në të gjithë vendin, duke filluar nga dita e hënë.

“Kemi filluar sot me 6 shkollat e para në Tiranë, të koordinuara me Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Nga dita e hënë fillojmë shpërndarjen e vaksinave në Njësitë e Kujdesit Shëndetësor në të gjithë vendin, për të vijuar vaksinimin e të gjithë mësuesve në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Me dozat e vaksinës AstraZeneca, do të ketë një vaksinim të kombinuar të mësuesve dhe të moshuarve.

“Me këto doza ne do të bëjmë vaksinimin e kombinuar, përpos mësuesve do të vijojmë edhe me të moshuarit +80 vjeç sepse AstraZeneca, ashtu sikurse Komiteti i Vaksinimit ka vendosur, përdoret për të gjitha moshat mbi 18 vjeç”, tha Manastirliu.

Deri tani kanë mbërritur në Shqipëri 71,160 doza vaksinash Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa janë kryer rreth 24 mijë vaksinime.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT