LAJM I MIRË/ Spitalet ‘marrin frymë’! Bie numri i të shtruarve, i të intubuarve dhe i pacientëve në terapi intensive

Shqipëria regjistroi një rënie të numrit të viktimave në 24 orët e fundit, me 12 të vdekur dhe 698 raste të reja.
Edhe në spitale situata po shkon drejt përmirësimit, pasi ka një rënie të numrit të shtrimeve. Aktualisht, 492 persona po marrin trajtim në spital nga 506 që ishin një ditë më parë. Në terapi intensive janë 6 pacientë më pak se dje, ndërsa dy më pak janë të intubuar.
“Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 492 pacientë, 24 në terapi intensive, nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar.”, bën me dije ministria.
Siç duket, masa e mbylljes në 20: 00 të mbrëmjes, po jep efekte pozitive. Kujtojmë se numri i të shtruarve në spital disa ditë më parë kishte kapur edhe shifrën e mbi 650.
Vaksinimi
Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit në të gjithë vendin. Gjatë ditës së sotme janë kryer 1018 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 24,653 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.
Të shëruar
Në 24 orët e fundit janë shëruar 690 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 79,821 që nga fillimi i epidemisë.
Apeli
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19. /Gazeta SHQIP