A i zgjidh “paketa antishpifje” problemet e medias në Shqipëri?
Pas dy muajve që kryeministri Rama propozoi idenën për një paketë antishpifje për të gjitha operatorët mediatik që publikojnë lajme të pavërteta, qeveria publikoi draftin për ndryshimet ligjore në ligjin e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të AKEP-it.
Këto ndryshime sipas grupit negociator janë në përputhje me direktivat e BE-së dhe bazohen në ligjin kroat.
Drafti i propozuar nga qeveria, parashikon gjobë për portalet dhe televizionet të cilat publikojnë lajme të rreme dhe nuk marrin në konsideratë ankesat e qytetarëve.
Në këtë draft është vendosur që portalet të gjobiten me 100 mijë deri në 1 milion lekë.
E njëjta procedurë është edhe me televizionet, por me një masë më të reduktuar të gjobës, jo më shumë se 400 mijë lekë.
Krahas kësaj, gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.
Drafti antishpifje parashikon që për çdo ankesë të qytetarëve, e cila nuk reflektohet nga portali, mund t’i drejtohen Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive.
“Pas shqyrtimit të ankesës dhe/ose pretendimeve të OSHPE-së, Këshilli i Ankesave, nëse çmon se ka shkelje, merr masat përkatëse, duke përfshirë sanksionet në përputhje me këtë ligj. Në çdo rast Këshilli i Ankesave njofton me shkrim personin që ka paraqitur ankesën dhe OSHE-në përkatëse mbi konkluzionet dhe masat”, thuhet në nenin 33 pika 7 të ligjit për mediat audiovizive, i ndryshuar.
Por jo vetëm kaq, është rregulluar me ligj që nëse një portal merr nga Autoriteti i Medias Audiovizive 5 masa administrative, atëherë AKEP pezullon deri në 1 vit median në fjalë.
Nëse një media publikon më shumë se katër herë informacion të rremë për 1 vit kalendarik, ai pezullohet për 1 javë.
Nëse këto shkelje përsëriten më shumë se 5 herë, atëherë aktiviteti i medias online pezullohet për 1 vit.
Dhe bllokim përfundimtar të aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik.
Fushata e kryeministrit Rama për paketën antishpifje u nis nga rrjetet sociale. Ne llogaritë sociale të kreut të qeverisë numërohen shumë statuse që parlajmëruan një paketë e cila do të dënojë shpifjen, por jo duke ndërhyrë në Kodin Penal, por që paratë e mbedhura do të shkonin në Fondin e Edukimit.
Rama: Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje. Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet.
Gazetari i Birn në Tiranë thotë se të dy ligjet nuk kanë referencë konkrete se ku bazohen, nuk kanë shembull konkret nga bota që të ketë rregulla të tilla.
“Dy ndryshimet prekin rëndë lirinë e shprehjes. Së pari bëjnë një regjistër mediash që është shkelje dhe e dyta bëjnë një polic lajmesh. Këshilli i Etikës merr përsipër të gjykojë cilësinë e lajmeve, paanshmërinë e lajmeve” – thotë ai për Ora News.
Bashkëpunëtori i gazetës Dita, gazetari dhe skenaristi Koloreto Cukali thotë se kjo nuk i zgjidh problemet e medias.
“Mendoj se është për të mbyllur gojën e mediave në raste të caktuara. Kjo bëhet për ti dhënë më shumë pushtet Kryeministrit” – thotë ai
Pas vizitës në Vienë ku zhvilloi një takim me përfaqësuesin e OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir, kryeministri Edi Rama lajmëroi se për paketën antishpifje Shqipëria do të punojë edhe me OSBE, duke trumbetuar kështu edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Por vetë kreu i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschard, i ka kërkuar qeverisë që të bëjë kujdes, pasi ky ligj mund të cënojë lirinë e fjalës.
Drafti për ndryshimet ligjore, pjesë e paketës antishpifje, tashmë po shqyrtohet nga autoritetet e Brukselit. Në kohën kur grupi negociator i qeverisë po zhvillon takime konsultative me grupet e interesit në kryeqytet, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka kërkuar opinion nga zyrtarët e BE-së.
Në një komunikim me Delegacionin, Ora News ka mësuar se përgjigja nga Brukseli pritet të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar gjata janarit.
Mazhoranca edhe e vetme i ka votat për ta kaluar ligjin e ndryshuar./ZgjohuShqiptar.info