Sa pa ardhur thërrisnin “ku janë”, tani që erdhën thërrasin “nuk bëjnë”. I ha vërtetë meraku “specialistët” tanë për “rrezikun e vaksinave”?

Nga Bedri Islami
Shqipëria aktualisht vuan nën dy sëmundje, pandemia e tejzgjatur, që po bëhet përherë e më agresive, duke u ulur drejtgrupmoshave gjithnjë e më të reja, dhe, dalldia politike, mizore, e verbër dhe e egër!
Kjo e dyta do të ketë kërcënimet e saj, të njohura dhe të panjohura, meskine dhe habitëse, por bëhet përherë edhe më agresive dhe e pamend kur përfshihet edhe në një çështje që do të duhej të kishte mbështetjen e të gjithëve: te përballimi i pandemisë.
Në të gjithë botën ka filluar vaksinimi i popullsisë, si njëra nga rrugët më efikase për të dalë nga gjendja; shtete të fuqishme janë vënë ballë njëri-tjetrit për të siguruar sa më shumë doza të vaksinës, dhe herë-herë duket se mes tyre ka më tepër se sa një përballje.
Shqipëria, po ashtu, si vendet e tjera, ka shpresën e saj tek vaksinimi i popullsisë, duke nsiur që nga ata që janë në vijën e parë të zjarit, pastaj te mësuesit, moshat më të larta, e gradualisht në një masë të ndjeshme të popullsisë.
Secili shtet dhe gjithësecila qeveri do të kishte dëshiruar të ishte në avangardën e vaksinimit, aq më tepër në një vend ku pandemia është kthyer në luftë politike, në përleshje, në zbulim kufomash, në ndjellje zie dhe hata; në gërmime dosjesh dhe deri tek të pajetët në morg.
Deri sa nuk kishin ardhur vaksinat në Shqipëri e gjithë opozita, në kor të përbashkët, prirë nga Tritan Shehu e Petrit Vasili, thërrisnin: ku janë? Ku janë? Ku janë?
Megjithëse asnjëri prej tyre, dhe të tjerëve rreth e rrotull tyre nuk e veshi as një ditë të vetme bluzën e bardhë, megjithëse shumë prej tyre presin me padurim të bëhen ministra e zëvendësministra shëndetësie, megjithëse po u premtohen mjekëve militantë dhe mitingashë poste drejtorësh, bluzën nuk e veshën një ditë dhe ndollën zi në të gjitha ditët.
Tani vaksinat kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë. Në ditët e fundit erdhi edhe një parti e madhe Astra Zeneca, që është e pranishme në të gjithë botën dhe ku, të gjitha protokollet botërore jo vetëm e kanë miratuar atë në përgjithësi, por edhe përtej moshës 65 vjeçare. Problemet që janë hasur në fillimet e saj të cilat nuk kanë pasur lidhje me cilësinë dhe efikasitetin, dhe, si gjithnjë, ndaj enigmave ka dyshime dhe pritje, të cilat edhe mund të kalojnë kufijtë e të vërtetës.
Edhe mjekët specialistë shqiptarë, nisur nga protokollet e OBSH janë të këtij mendimi, se ajo vaksinë është e efektshme dhe se do të jetë në dobi të parandalimit e shtrirjes së mëtejshme të pandemisë.
Mirëpo këtë nuk e pranon opozita. E njëjta që kur u desh të bëhej një përjashtim ndaj figurave të shquara të botës së artit, personalitete mbi moshën 80 vjeçare, më tepër në shenjë nderimi, se sa kalimi i rradhës, bënë një gjurulldi të hatashme, të egër, të përditshme, që nga portjeri i Shqup-it, analistë shqupas, dhe deri tek presidenti, që si ka premtuar, pas 25 prillit, do të jetë shefi i shqupasve.
Është vërtetë e rrezikshme apo duan ta bëjnë të rrezikshme opozitarët tanë? Përse ndjellin të zezën, kur e gjithë bota e pranon si një risi shkencore, ashtu si edhe vaksinat e tjera? I ha vërtetë meraku këto “specialistë” për rreziqet apo pas çdo dalldie politike, shohin vota të mundshme?
Për fat të keq ne kemi një opozitë që mendon se vetëm e keqja dhe vdekja mund ta sjellë në pushtet. Kështu edhe për vaksinimin. Sa nuk kishin ardhur thërrisnin, ku janë dhe vendosnin gishtin e akuzës ndaj qeverisë. Kur erdhën, përsëri e njëjta gjë: u ngeli gishti i ngritur dhe gjuha e ndezur!
Po të mos i kishim njohur do të kishim menduar se nga na erdhën këto burra të mençur dhe njerëz dashur! Në fakt, ata më lehtë vrasin në mesin e bulevardit, se sa të shërojnë! Ata më qetësisht të dërgojnë drejt Gërdecit, se sa drejt mirëqenies! E duan të keqen me çdo kusht dhe kur nuk e kanë, e ribëjnë!
Ka ardhur koha të ketë një fund e gjithë kjo maskaradë që lidhet me shëndetin njerëzor. Nuk zgjidhni gjë as me grushte, as me britma, as me kërcënime burgjesh e gjuhë rrugaçësh e as duke ndjellë tmerrin që nesër të fajësoni një qeveri, që, si e keni nisur, edhe më tej, do të jetë qeveri.
Mos e ndjellni tmerrin! Le të bëjmë atë që e pranon e gjithë bota!