EMA vulos efikasitetin e AstraZeneca: Vetëm 30 raste me efekte anësore në 5 milionë të vaksinuar. Britania: Asnjë problem, 11 milionë doza të administruara

Nuk ka asnjë indikacion që vaksina e Oxford-AstraZeneca Covid-19 është e lidhur me një rrezik në rritje të mpiksjes së gjakut, deklaroi Agjencia Europiane e Barnave (EMA), sipas BBC.
“Aktualisht nuk ka asnjë indikacion që vaksinimi ka shkaktuar këto simptoma, të cilat nuk renditen si efekte anësore me këtë vaksinë”, deklaroi Agjencia Europiane e Barnave (EMA).
“Përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj dhe vaksina mund të vazhdojë të administrohet, ndërsa po vazhdon hetimi i rasteve të ngjarjeve tromboembolike”, shtoi ajo.
Ajo tha se kishte pasur vetëm 30 raste tromboembolike në pesë milionë europianëve që kanë marrë vaksinën.
AstraZeneca tha se siguria e ilaçit ishte studiuar gjerësisht në provat klinike.
“Rregullatorët kanë standarde të qarta dhe të rrepta të efikasitetit dhe sigurisë për miratimin e çdo ilaçi të ri”, tha një zëdhënës i saj.
Në Britaninë e Madhe, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) tha se nuk kishte prova se vaksina kishte shkaktuar probleme dhe njerëzit po vaksinohen pa problem kur u kërkohet ta bëjnë këtë.
“Mpiksjet e gjakut mund të ndodhin natyrshëm dhe nuk janë të rralla me apo pa vaksinen. Më shumë se 11 milionë doza të vaksinës Covid-19 AstraZeneca tani janë administruar pa asnje problem në të gjithë Britaninë e Madhe”, tha Phil Bryan i MHRA.
Franca dhe Gjermania deklaruan se do të vazhdojnë të përdorin AstraZeneca-n. “Sinqerisht nuk e kuptoj zhurmën, përfitimet janë shumë më të larta se rreziqet”, deklaroi ministri Francez i Shëndetësisë, Olivier Veran.