Gjithmon në luftra për çlirimin dhe mbrojtjen e Atdheut, Sali Vranishti në këngët e popullit
Nga Elmaz ALIAJ
Populli ynë krenohet me historinë e tij kombëtare. Ai i ka pasur dhe i ka shumë për zemër trimëritë dhe heroizmat e bijve të tij në luftrat për çlirimin dhe mbrojtjen e Atdheut nga pushtuesit e huaj.
Ashtu si në gjithë Shqipërinë, edhe në zonën e Labërisë, këngët e para në kuvende, festa të ndryshme e dasma ua këndojnë trimave. Njëri prej këtyre trimave e kapedanëve të Labërisë është edhe Heroi i Popullit Sali Murati, i popullarizuar më shumë me mbiemrin Vranishti. E gjithë jeta e tij është e mbushur me trimëri të pashoqe, që nga Janina e deri në malet e Dibrës për një çerek shekulli me radhë.
Aktiviteti patriotik e liridashës i Sali Murat Vranishtit ka mbetur i freskët në memorjen e kohës brez pas brezi. Për këtë kapedan, për këtë Hero, dëshmon një histori e tërë, flasin dokumentat arkivore, por mbi të gjitha flet populli me muzën e tij.
Kënga e ka ndjekur Sali Vranishtin pothuajse në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të kohës, ku ai ishte pjesëmarrës.
Në morinë e këngëve që ka krijuar e krijon populli, jo të gjitha i qëndrojnë rrebeshit të kohës. Një pjesë e tyre zbehen, një pjesë dalin nga kujtesa. Por shqiponjave të tilla si Sali Vranishti, këngët iu këndohen me të njëtën forcë e emocion vazhdimisht.
Qysh kur ai nisi jetën e komitit në fillim të shekullit të kaluar, kënga do të ishte bashkëudhëtare me të. Ç’janë ata komita malit,/ Që luftojnë për vatanin,/ I biri Murat Mamanit,/Sali Vranisht kapedani.
Ardhja e Ismail Qemalit në Vranisht në fillim të vjeshtës të vitit 1908 për armatosjen e popullit me ide të qarta kombëtare e liridashëse, do ta impononte Sali Vranishtin që pas dy muajsh të formonte çetën patriotike. Nëntëqind e tetë viti,/ Smail Qemali na ndriti,/ Gëzoi populli i Vranishtit,/ Dhe Sali Murat komiti, /Bashkë me shokë e priti,/ I dha fjalën dhe e nisi.
Dhe aksionet nisën të renditeshin njëri pas tjetrit. Por ai më i bujshmi qe hapja e burgut(hapsanës) të Vlorës në gusht 1912. Hapsanat kush i hapi,/Mu në mes të kazasë?/Kapedan Sali Murati,/ Biri trim i fukarasë. Autoritet turke të tronditur nga ky aksion i guximshëm dhe i rrufeshëm mobilizuan forca të shumta dhe u vunë ndjekje të asgjesimit të çetës së Sali Vranishtit, por pas rrethimt që i bënë asaj në Qishbardhë, nuk mundën t’ia arrinit qëllimit. Në Vlorë në kajmekanë,/ Në rrap e varën fermanë,/Të zinin Sali Muranë,/Jo të vdekur, por të gjallë./E rrethosën në Qishbardhë,/Por s’i qaseshin dot pranë.
Jehona e këtyre ngjarjeve u përhap në gjithë Shqipërinë e Jugut. Është koha kur populli i pellgut të Delvinës terrorizohej nga shovinisti grek Thimjo Loli. Sali Muratit i çojnë lajm për t’u përballur me këtë antishqiptar të tërbuar duke i ofruar një shumë të konsiderueshme të hollash. Shkon menjëherë në ndihmë të popullit të Delvinës duke mos bërë pazare për fatet e vendit. Këtë ngjarje e dëshmojnë më së miri vargjet e këngës: Delvinjotë të kërkojnë,/ Kapedan more Sali(refreni),/ Japin 300 napolonë,/Të bësh luftë me Thimjo Lolë./ S’është Saliu për zorrë,/ Por Thimjon të ma tregojnë./ Në Krane tek u përpoqnë, /Foli Saliu me gojë:/ Dil pusht të shohëm shoshoqnë,/ Se trimat fshehur s’luftojnë.
Njohja e drejtëpërdrjejtë e Ismail Qemalit me Sali Muratin dhe famën që ky kish marrë me çetën e tij, do ta impononin Plakun e Vlorës që në ditët e pavarësisë ta kish pranë vetes kapedanin nga Vranishti për t’i besuar detyrën e rëndësishme të komandantit të Sigurisë Publike.
28 seneja,/ Seç u nakatos ylqeja,/ Smail bej oxhakzadeja,/Çoi haberin si rrufeja:/O Sali Vranisht çepeja,/Mbushe çetën edhe eja.
Rrjedha e ngjarjeve të mëpasme, kur trojet tona amëtare kërcënoheshin nga shovinizmi grek, Sali Murati do ishte krah për krah me Çerçis Topullin në shumë beteja. Në Skërficë seç u ndez flakë,/ Luftojnë shqiptarët e ngratë,/ Me Çeçon dhe me Salinë,/Për të mbrojtur Shqipërinë.
Në këtë vatan, -thoshte Saliu,- jemi gurë të mbirë dhe jo të hedhur. Ndaj edhe kënga thotë: Kalanë e Borshit e zure,/Kapedan more Sali,/ Dhe nga vendi nuk u tunde,/Kapedan more Sali.
Ajo që thotë Kadareja se në Luftën e Vlorës edhe sikur të zhdukeshin gjithë dokumentat e kohës, historia e saj do shkruhej nëpërmjet këngëve që ngriti populli për të, këtë gjë e dëshmojnë edhe këngët që u ngritën në zjarrin e kësaj lufte për Sali Vranishtin. Qysh në organizimin e Luftës së Vlorës, kapedan Sali Vranishtit ju besua të komandonte jo vetëm çetën e Vranishtit, por gjithë çetat e zonës së Rrëzës, fshatrat në të majtë të lumit Shushicë. Për këtë fakt, patrioti dhe vjershëtori vranishtjot Xhemil Veli Duka, pjesëmarrës aktiv në këtë luftë, shkroi vargjet e mëposhtme: Në Beun kur u mblodhë,/Sali Muratin e folë./Ti Sali do shkosh në Vlorë,/Komandant mbi tre taborrë.
Dhe pushka e parë për Sali Muratin në Luftën e Vlorës do ishte beteja e Drashovicës.
Që ajo të ishte e rezultative, kapedan Saliu udhëzonte bashkëluftëtarët: Te ura Saliu thirri:/Ju djem sonte të mos flini,/Armë e municion të sillni,/ Që breshakqenit t’i bini.
Kur komiteti drejtues i luftës po hezitonte për afatin e sulmit në qytetin e Vlorës, Sali Murati u paraqit para këtij komiteti dhe kërkoi që sulmi të mos vonohej, përndryshe do të detyrohej të sulmonte vetë. Këtë guxim dhe frymë luftarake koseguente të Kapedan Sali Vranishtit, kënga e preçizon qartë: Ollonar tetëmbëdhjetë,/ Vlorë u bë yxhym i tretë,/Komisioni nuk desh,/Sali Murati bërtetë:/ Shpejtoni ndani fishekë,/ Se do të sulmojë vetë,/Do shembem me gjithë çetë,/ Nuk kthehem i gjallë përpjetë.
Nga ky presion, sulmi nuk vonoi. Sali Vranishtit, në krye të çetave të Rrëzës, ju ngarkua marrja e kalasë së Kaninës, si nyja më nevralgjike dhe fortesës së papushtueshme, sipas gjeneral Piaçentinit, komandantit të përgjithshëm të forcave ushtarake italiane. Por ky i kishte bërë hesapet gabim. Dyfeqet me gjalmë dhe zemrat e pamposhtura të luftëtarëve shqiptarë do të triumfonin mbi topat dhe ushtrinë që komandonte Piaçentini. Në këtë sulm, komandant Sali Murati do të plagosej rëndë, por për të mos dekujaruar bashkëluftatarët e tij, megjithëse i mbytur në gjak, interesimit të tyre ju përgjigjet se “ishte çjerrur në tela” Ja si përshkruan rapsodi këtë moment epik: Çetat e Rrëzës u vërvinë,/Majave të Vreshtave hynë,/Kapedan kishin Salinë,/ Trmin e madh zemër çeliknë,/Me bomb në mes e godinë,/Tha: “në tel çorra kërcinë”,/Të mos hidhron shokërinë.
Kapedan Saliu me shokë, duke sokëllitur, me guna mbi tela e me dyfek e kasature në dorë, zaptuan kalanë e Kaninës dhe atje ngritën flamurin kuq e zi. Përmbi tela u vërvinë,/Si arbër me të vërtetë,/Përpara kishin Salinë,/Trimin pa asnjë të metë.
Megjithëse me plagë të pashëruara në trup, kur zëri i Atdheut e thërriti për të mbrojtur trojet tona nga kërcënimi shovinist serb, Sali Murati nuk hezitoi të marrshonte drejt Veriut të Shqipërisë. Shkallë e Deshe vijë fronti,/ Edhe Macukulli i Matit,/ As këtej s’tu lag baroti,/ Kapedan Sali Murati.
Me shpërthimin e Revolucionit të Qershorit, përsëri Sali Murati ishte në ballë të kryengritësve. Kur Azis Çami rekomandoi të hidhej short se kush duhej të sulmonte për të kapërxyer urën e fortifikuar në Sulzotaj, reagimin e Sali Muratit na e bën të qartë kënga: Në luftë nuk hidhen shorte,/Asnjëherë s’kam hedhur unë,/ Po t’u dhimbs koka jote,/ Ajo është tjetër punë.
U nis drejt urës që mbahej nën mbrojtje me top. Kurajua e tij bëri që topçijtë jo vetëm të mos reagonin, por ta nderonin ushtarakisht dhe të bashkoheshin me të.
Në Tiranë hyri si triumfator. Qeveria demokratike i siguron pension invaliditeti, por ai vazhdon të qëndrojë në mbrojtje të saj. Kur forcat vrangeliste ju vërsulën Tiranës në dhjetor 1924, nuk nguroi që edhe këta kusarë të lirisë t’i priste me pushkë në Shkallë të Tujanit. Atë që kish bërë ngaherë,/Bëri në Shkallë të Tujanit,/Emri mbuluar me nder,/ Sali Vranisht kapedani.
Luftari i shquar Sali Murat Vranishti mbeti deri në fund të jetës së tij me armë në dorë për lirinë e popullit dhe pavarësinë e Atdheut, prandaj vepra e tij është sintetizuar me vargjet: Kapedan Sali Vranishti,/ Sa rroi, i punoi gishti.
Nëpërmjet këngëve të shumta popullore, madhështia dhe pavdekësia e Heroit të Popullit Sali Vranishti do të jehojë nëpër breza./ZgjohuShqiptar.info